Analiza e institutit "Schuman"/ "BE të reagojë për korrupsionin qeveritar dhe rënien e demokracisë, duhet transparencë"
Analizë e publikuar nga instituti ‘Robert Shuman’
Pyetja se çfarë do Ballkani Perëndimor nga Bashkimi Europian trajtohet aktualisht në dy mënyra të ndryshme. Ballkani Perëndimor përfshin Serbinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjashtë shtete që e kanë bërë integrimin evropian një objektiv madhor kombëtar dhe që ndodhen në faza të ndryshme të përparimit drejt këtij synimi.
Qasja e parë vjen nga elitat politike në pushtet. Ato po përpiqen t’i zhveshin negociatat për integrimin evropian nga thelbi i tyre politik dhe moral, duke i reduktuar në një proces thjesht teknik. Në dhjetor 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se vendi i tij do të ishte gati të anëtarësohej në Bashkimin Evropian… në vitin 2026! Afrimi do të realizohej me shpejtësi duke përkthyer korpusin ligjor kombëtar dhe duke e krahasuar atë me legjislacionin vuropian përmes inteligjencës artificiale. Ai nuk përmendi asnjë nga reformat që vendi do të duhej të ndërmerrte për të përmbushur kushtet e pranimit në familjen evropiane. Në sytë e tij, procesi do të konsistonte thjesht në një përkthim të automatizuar të ligjeve, pra në kryerjen e punës “në letër”, gjë që Edi Rama di ta bëjë mirë.
Asnjë zë nuk u dëgjua në Bruksel, as përmes delegacionit të BE-së në Tiranë, për t’i kujtuar atij se përmbajtja reale e procesit të anëtarësimit do të kërkonte një transformim të thellë të Shqipërisë. Në tetor 2024, negociatat nisën me hapjen e raundit të parë mbi çështjet themelore, përfshirë kapitujt mbi bazat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Fjalimet e buta, që shoqëruan atë ditë, vetëm sa përforcuan përshtypjen se Shqipëria kishte për të bërë vetëm transpozimin e disa ligjeve.
Udhëheqësit e Ballkanit, me pak përjashtime, do të dëshironin që “Brukseli” – i kuptuar si Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Europian – të vlerësonte progresin e vendeve të tyre drejt integrimit evropian vetëm në mënyrë teknike dhe formale, pra vetëm mbi bazën e asaj që paraqitet në letër. Këta liderë janë mjeshtër në artin e hartimit dhe miratimit të ligjeve që përputhen me standardet evropiane. Në një kohë kur vendi i tij po përgatiste një reformë themelore të sistemit gjyqësor, kryeministri shqiptar iu drejtua publikisht ambasadorit amerikan: “Shkruajeni ligjin si të doni dhe ne do ta miratojmë në Parlament”. Në fakt, ai thjesht po shprehte një praktikë të zakonshme brenda qeverisë së tij, sipas së cilës ligji i shkruar dhe ligji i zbatuar janë, më shpesh sesa jo, dy realitete të papajtueshme.
Por në mungesë të çdo reagimi nga Brukseli, kjo lloj qeverisjeje fiton legjitimitetin e nevojshëm për të vazhduar një zakon: abuzimin me pushtetin. Gjatë vitit 2024, kjo qasje nga ana e Bashkimit Evropian u bë gjithnjë e më e dukshme, çka do të thotë se gjendja e demokracisë në vendet e Ballkanit u përkeqësua edhe më tej.
Megjithatë, opinioni publik në këto vende ka një këndvështrim shumë të ndryshëm mbi pyetjen se çfarë pret Ballkani nga Bashkimi Evropian. Duke marrë si të mirëqenë se procesi i zgjerimit mbetet i hapur, siç u ritheksua në samitin e fundit, një pjesë e madhe e opinionit publik ballkanik pret që Bashkimi Evropian të mbikëqyrë në mënyrë të rreptë dhe të hapur ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në secilin prej këtyre vendeve. Më shumë sesa ritmi i negociatave, ajo që është thelbësore për të tashmen dhe të ardhmen e këtyre popujve është ndërtimi i themeleve të forta dhe solide për këto parime. Ky fakt duhet të kuptohet qartë në Bruksel. Në këtë pjesë të Evropës, demokracia dhe shteti i së drejtës nuk kanë traditë. Kjo do të thotë se duhet ndërtuar një sistem krejtësisht i ri politik, juridik dhe institucional.
Si rezultat i historisë dhe papjekurisë së kulturës politike të shoqërive ballkanike, opinioni publik ndihet i pafuqishëm për të ndikuar në mënyrë vendimtare zhvillimet aktuale politike përmes mjeteve demokratike. Për më tepër, në disa prej këtyre vendeve, si Serbia dhe Shqipëria, si dhe pjesërisht në Bosnje, për shkak të autoritarizmit në rritje të Presidentit Aleksandar Vuçiç, Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Milorad Dodik në entitetin e Republikës Srpska (BiH), të cilët kontrollojnë gjithnjë e më shumë të gjitha pushtetet, opinioni publik ka humbur besimin edhe te ndryshimi përmes votës.
Për shembull, në Serbi u mbajtën zgjedhjet bashkiake gjatë vitit 2024. Sipas opozitës serbe, por edhe sipas raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet për kryetar bashkie të Beogradit u shoqëruan me parregullsi serioze që çuan në deformim të rezultateve. Si pasojë, në dhjetor shpërthyen protesta të mëdha të udhëhequra nga studentët. Presidenti Vuçiç akuzoi “fuqitë perëndimore” se qëndronin pas këtyre demonstratave me qëllim rrëzimin e tij, në mënyrë që Serbia të njihte pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, e vërteta është se asnjë “fuqi perëndimore” nuk tha asnjë fjalë në mbështetje të këtyre protestave, duke i lënë studentët dhe qytetarët e Beogradit vetëm në këtë betejë, e cila është plotësisht në përputhje me vlerat e demokracive perëndimore, ku vota e lirë e qytetarit është një vlerë themelore. Ky është një shembull domethënës që tregon se çfarë presin në thelb popujt e Ballkanit, herë pas here, nga Bashkimi Evropian… dhe sesi përgjigjja shpesh nuk arrin të përmbushë pritshmëritë e tyre.
Nëse kjo hendek mes pritshmërive dhe përgjigjeve zgjerohet, ka gjasa të çojë në dobësimin e aspiratës së popullsisë për integrimin evropian. Ky jo vetëm që do të ishte ogur i keq për të ardhmen e këtyre popujve, por do të ishte edhe lajm i keq për vetë Bashkimin Evropian.
Në fakt, kjo dobësim i aspiratës evropiane ka filluar të shfaqet në të gjashtë vendet e Ballkanit. Në Serbi, mbështetja për procesin e integrimit nuk ka qenë kurrë shumë e lartë, por tani ka rënë nën 50%. Një rënie e ngjashme mund të shihet edhe në Shqipëri, ku deri vonë mbështetja ishte pothuajse 100%; tani ajo është më afër 80%. Kjo rënie meriton një analizë të veçantë në Bruksel.
Një gjë është e sigurt: nuk ka pasur ulje të mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian për asnjë nga këto vende. Përkundrazi, ka pasur rritje. Pavarësisht një farë ngërçi në negocimin e kapitujve të marrëveshjes së anëtarësimit me Bashkimin Evropian, Serbia mbetet përfituesja më e madhe në rajon e fondeve të para-anëtarësimit (IPA). Në mënyrë të ngjashme, gjatë periudhës 2023-2024, edhe Shqipëria, ashtu si vendet e tjera kandidate të Ballkanit, ka përfituar një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare përmes këtyre fondeve.
Pra, pse kjo rritje e mbështetjes financiare evropiane nuk është shoqëruar me një rritje të ngjashme të mbështetjes për perspektivën evropiane në shoqëritë e këtyre vendeve? Në fakt, ka ndodhur e kundërta.
Zyrtarisht, në rastin e Serbisë, bllokimi i negociatave mbi kapitujt aktualë lidhet me faktin se “politika e jashtme e Beogradit ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë nuk është në përputhje me atë të Bashkimit Evropian”. Ky fakt është i vërtetë dhe i njohur mirë nga opinioni publik serb. Por ai nuk ka ndikim thelbësor në perceptimin që qytetarët serbë kanë për qeverinë e tyre. Publiku serb, në fakt, priste që vazhdimi i negociatave të kushtëzohej si nga autoritarizmi i Presidentit Aleksandar Vuçiç, ashtu edhe nga korrupsioni endemik dhe lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar.
Vendimet e marra në vitin 2024 për të hapur negociatat mbi kapitujt e parë me Shqipëria u motivuan – një fakt gjysmë i pranuar nga Brukseli – nga nevoja për të dhënë një shenjë optimizmi në rrethanat e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë. Shqiptarët e pritën lajmin si një “dhuratë diplomatike”, në kontrast të fortë me paralajmërimin e fundit të prokurorit italian antimafia Nicola Gratteri, i cili deklaroi se mafia shqiptare operon në një “joint venture” me ’Ndrangheta-n, duke fituar një “pozicion të tepruar” përmes korrupsionit dhe lidhjeve të fuqishme politike në vend.
Në mënyrë të ngjashme, Departamenti i Shtetit, në raportin e tij më të fundit, shkruan se Shqipëria është bërë një vend i rëndësishëm për pastrimin e parave të lidhura me trafikun e drogës. Këto janë fakte të njohura mirë dhe shqiptarët presin që procesi i negociatave me Bashkimin Evropian të shërbejë për ta ndryshuar këtë realitet.
Pra, çfarë na tregon kjo mospërputhje mes rritjes së mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian dhe rënies së mbështetjes publike për idealin evropian në këto vende?
Shpjegimi i parë është se paratë nuk mjaftojnë për të blerë dashurinë e popujve. Bashkimi Evropian nuk pritet të vijë në Ballkan si një bankë, por si mbartësi dhe mbrojtësi suprem i vlerave të një qytetërimi që, 35 vjet më parë, frymëzoi sloganin “E duam Shqipërinë si Evropa”, të brohoritur nga studentët gjatë revolucionit që rrëzoi diktaturën e Enver Hoxha.
Sipas vlerësimeve të shumë institucioneve ndërkombëtare, Serbia dhe Shqipëria janë vendet e rajonit ku korrupsioni është më i përhapur. Mediet publikojnë pothuajse çdo ditë fakte që tregojnë përfshirjen e zyrtarëve të lartë në afera të paligjshme. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Shqipëri, gjatë katër viteve të fundit më shumë se 1 miliard euro janë shpërdoruar për shkak të korrupsionit në tenderat e punëve publike.
Qeveria shqiptare nuk i kushtoi asnjë vëmendje këtij raporti, megjithëse ai vjen nga një institucion publik që Kushtetuta e ngarkon me detyrën e mbikëqyrjes. Sipas ligjit, faktet e zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit e detyrojnë automatikisht Prokurorinë të nisë procedime publike për t’i hetuar më tej dhe për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Edhe kjo nuk ka ndodhur.
Ky është vetëm një shembull se pse shoqëritë në Serbi dhe Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit, kanë humbur shpresën se mund ta fitojnë vetë luftën kundër korrupsionit. Këto shoqëri presin që Bashkimi Evropian jo vetëm t’i mbështesë fuqimisht, por edhe ta udhëheqë në një mënyrë apo tjetër këtë luftë. Korrupsioni dhe lidhjet e fshehta të pushtetit me krimin e organizuar e bëjnë të pamundur krijimin e institucioneve të forta, pa të cilat nuk mund të ketë as demokraci dhe as shtet të së drejtës.
Mund të përmenden shumë shembuj ku, në praktikë, Komisioni Evropian duhet të shihet si një rojtar vigjilent i vlerave dhe rregullave etike. Më 23 tetor 2024, për shembull, Presidentja e Komisionit vizitoi Tiranën. Përtej lavdërimeve euforike për kryeministrin, shqiptarët prisnin që ajo të thoshte një fjalë për faktin se, prej dy vitesh, fondet IPARD (Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit për Zhvillimin Rural) janë pezulluar pa afat për shkak të abuzimeve financiare, një fakt i konfirmuar nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit. Kjo është provë se korrupsioni po përpin fondet evropiane të destinuara për të mbështetur modernizimin e ekonomisë shqiptare në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Një fakt i tillë, që nuk është sekret, duhej të ishte përmendur nga Ursula von der Leyen si shembull i praktikave që Komisioni Evropian nuk mund t’i tolerojë. Një veprim i tillë do të ishte parë si një shenjë transparence, duke treguar qartë se në cilën anë qëndron Bashkimi Evropian në luftën për çrrënjosjen e korrupsionit.
Pikërisht sepse procesi i negociatave është i gjatë dhe do të zgjasë për shumë vite, komunikimi mes institucioneve evropiane dhe institucioneve kombëtare të secilit prej vendeve të Ballkanit duhet të jetë absolutisht transparent, në mënyrë që të frymëzojë opinionin publik në këto vende dhe t’i japë atij besim te vlerat mbi të cilat ndërtohet Evropa e bashkuar. Opinioni publik në Ballkan pret, pra, një ndryshim rrënjësor në mënyrën e komunikimit të Bashkimit Evropian.
Një komunikim transparent nga ana e Bashkimit Evropian mbi zhvillimet konkrete në secilin prej gjashtë vendeve të Ballkanit do të kontribuonte shumë në edukimin e opinionit publik me kulturën demokratike dhe do ta ndihmonte shoqërinë të çlirohej nga frustrimet e krijuara nga ndjenja e pafuqisë përballë abuzimit me pushtetin nga liderët kombëtarë. Për më tepër, kjo do të ishte një shenjë respekti dhe besimi ndaj këtyre shoqërive, duke i ndihmuar ato të fitojnë një ndjesi pozitive: se jo vetëm përfitojnë nga fondet evropiane, por edhe ndajnë vlera të përbashkëta.
Duhet thënë se gjatë tre dekadave e gjysmë të fundit nuk është bërë asnjë punë thelbësore për ta paraqitur integrimin evropian si një proces në të cilin vendet e Ballkanit jo vetëm marrin, por duhet edhe të japin. Kjo është mënyra më e sigurt për ta bërë opinionin publik një aleat të fortë të proceseve të integrimit. Përndryshe, këto procese kthehen në marrëveshje burokratike mes qeverive dhe Komisionit Evropian, duke humbur aftësinë për ta bërë Bashkimin Evropian një ideal frymëzues.
Popujve të Ballkanit sot u mungon një ideal i madh. Historia nuk i ka mësuar të jetojnë në një gjendje të tillë boshllëku. Kjo është pjesë e identitetit të tyre, të cilën Brukseli duhet ta marrë në konsideratë. Nevoja për një ideal i ka dobësuar gjithmonë këta popuj, duke i ekspozuar shpesh ndaj rrezikut të manipulimit nga demagogët. Pikërisht për shkak të këtij manipulimi, jo vetëm në të kaluarën, por edhe në periudha më të afërta, ata janë hedhur verbërisht në aventura tragjike nacionaliste.



