VËSHTIRË TË BLESH NJË SHTËPI/ Agjenti imobiliar Beti: Rritja e kostove të ndërtimit rrit qiratë në kryeqytet

Nëse disa vite më parë, me një pagë mesatare mund të përballoje një apartament me qira, sot situata është krejt ndryshe.

Çmimet janë rritur ndjeshëm, ndërsa qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë një shtëpi me kosto të përballueshme.

Orgest Beti, agjent imobiliar, thotë se në Shqipëri funksionon tregu i lirë, ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndërsa zgjidhja duhet kërkuar më shumë te politikat sociale, si strehimi social dhe kreditë e buta për çiftet e reja.

Beti shton se çmimet e larta të qirave kanë origjinën që në momentin e blerjes së apartamentit.

Sa i përket zonave më të kërkuara, eksperti thotë se në Tiranë, në krye mbeten Tirana e Re, Blloku, zona e Parkut të Liqenit Artificial, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Megjithatë, tregu po zgjerohet edhe drejt zonave të reja si Bulevardi i Ri, Astiri dhe Paskuqani, të cilat po fitojnë vëmendje për shkak të zhvillimeve infrastrukturore.

Sipas zhvilluesve të tregut, në vitet e ardhshme Tirana pritet të transformohet në një qytet gjithnjë e më policentrik, ku kufijtë tradicionalë të qendrës do të zbehen, ndërsa zhvillimi urban do të shtrihet drejt periferive dhe zonave të reja.