Rritje e energjisë diellore me 44%, ndryshime në kompensimin e vetëprodhuesve

Shqipëria po shënon progres të dukshëm në sektorin energjetik, falë rritjes së qëndrueshme të burimeve të rinovueshme dhe zbatimit të një strategjie afatgjatë për diversifikimin e prodhimit të energjisë.

Sipas raportit të fundit mbi bilancin e energjisë elektrike, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, prodhuesit fotovoltaik kanë prodhuar 254 GWh energji, krahasuar me 176 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 44%.

Aktualisht, 10% e energjisë së vendit vjen nga burimet fotovoltaike, krahasuar me situatën e para katër vitesh, kur Shqipëria varej pothuajse tërësisht nga energjia ujore.

Në sektorin energjetik janë investuar mbi 2 miliardë euro nga iniciativa private, kryesisht në projekte të rinovueshme. Aktualisht, vendi ka mbi 700 MW kapacitete private fotovoltaike në funksion, si dhe rreth 400 MW të tjera të vetëprodhuesve të shpërndara në të gjithë territorin.

Shqipëria ka një portofol projektesh që pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme mbi 1500 MW, duke përdorur teknologji fotovoltaike dhe eolike.

Paralelisht, po shqyrtohen mbi 1600 MW kapacitete për ruajtjen e energjisë, duke përdorur teknologjitë e depozitimit me ujë (“pump storage”) dhe bateri, që ndodhen aktualisht në fazën e studimit dhe vlerësimit financiar. Këto kapacitete synojnë rritjen e fleksibilitetit dhe stabilitetit të sistemit energjetik.

Në energjinë diellore, Shqipëria ka kaluar nga projektet pilot tek impiantet e shkallës së madhe. Parku fotovoltaik i Karavastasë, me 140 MW kapacitet të instaluar, është një nga më të mëdhenjtë në rajon dhe një model zhvillimi për energjinë e rinovueshme. Në sektorin e erës, vendi po nis për herë të parë projekte konkrete, me parkun eolik në Tropojë të kompanisë amerikane CWP, me kapacitet të pritshëm prej 600 MW.

Sipas projeksioneve afatgjata, deri në vitin 2030 kapacitetet fotovoltaike pritet të jenë 1500 MW më të larta krahasuar me vitin 2020, ndërsa kapacitetet e energjisë eolike do të rriten me rreth 700 MW. Prodhimi nga energjia fotovoltaike pritet të arrijë rreth 2 milionë MWh, ose 25% të konsumit aktual, ndërsa energjia e erës do të sigurojë rreth 1,4 milionë MWh, që përfaqëson 17,5% të konsumit.

Në total, deri në vitin 2030, rreth 45% e konsumit vendas të energjisë elektrike pritet të mbulohet nga teknologjitë fotovoltaike dhe eolike, duke konsoliduar tranzicionin drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm.

Paralelisht, qeveria ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e kompensimit për familjet dhe bizneset që prodhojnë energji nga panelet diellore.

Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave parashikon kalimin nga skema aktuale “net metering” në modelin “net billing” (faturim neto), duke nisur nga 1 janari 2027.

Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e llogaritjes së energjisë së prodhuar dhe të konsumuar. Në modelin e ri, kompensimi nuk do të bëhet më mbi bazën e kilovatëve, por mbi vlerën financiare të energjisë. Diferenca mes energjisë së konsumuar dhe asaj të dorëzuar në rrjet do të pasqyrohet në faturën mujore. Kur energjia e prodhuar tejkalon atë të konsumuar, abonenti krijon një kredit monetar për përdorim në muajt pasardhës.

Ky ndryshim konsiderohet pjesë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me praktikat europiane dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.