AEROPORTI I VLORËS DO TË HAPET! Karakaçi paralajmëron: Sjellja bllokuese nuk tolerohet. Do ketë penalitete
Qeveria nuk do të ndërhyjë në konfliktin mes kompanive në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, por do të përdorë klauzolat e kontratës që të hapet në kohë. Ministri I Transportit, Enea Karakaçi, përcolli qëndrimin zyrtar mbi këtë cështje, duke paralajmëruar se sjellja bllokuese projektit nuk do tolerohet.
Karakaçi: Aeroporti i Vlorës përfaqëson një pikë kritike të sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, mbi të cilin shteti ushtron kompetenca të plota mbikëqyrëse dhe rregullatore.
Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi, dha në këtë formë qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare për situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, duke paralajmëruar se bllokimi i tij nuk është thjesht çështje biznesi privat, por çështje e interesit publik dhe shtetëror, përçka paralajmëroi penalitete.
Karakaçi: Bllokimi fizik i kantierit, konfliktet gjyqësore ndërmjet aksionarëve dhe shkeljet kontraktore kanë sjellë vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të garantuar respektimin e detyrimeve.
Teksa e konsideroi cënim të imazhit të vendit dhe vetë veprës në fjalë, theksoi se do të zbatohen të gjitha klauzolat dhe se aeroporti do të përfundojë pavarësisht gjithçkaje.
Karakaçi: Për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është e angazhuar të zbatojë të gjitha klauzolat përkatëse të kontratës koncesionare, në mënyrë që të garantojë realizimin e operacionalitetit të aeroportit, pavarësisht mosmarrëveshjeve mes palëve.
Për Portin e ri në Porto Romano, paralajmëroi zgjidhje shumë shpejt.
Karakaçi: Ne jemi në komunikim të brendshëm të vazhdueshëm. Do t’i japim një zgjidhje në mënyrë shumë të shpejtë. Jemi duke bërë bashkëpunim përsëri shumë intensiv me konsulentin Royal Haskoning, që është ndër konsulentët më të mirë në botë për sa i përket porteve.
Zbuloi edhe synimet për rigjallërimin e hekurudhës.
Karakaçi: Brenda fundit të majit e fillimit të qershorit do të shpallim një fitues. Po, rruga Milot-Balldren do të bëhet!... Megjithatë, patjetër që në vitin 2027 do të kemi vijën e parë funksionale hekurudhore në Shqipëri.
