“MAKING” NË TEG/ Ekspozita sjell studentët e Universitetit të Arteve pranë publikut

TEG ka hapur dyert për ekspozitën artistike “MAKING”, një iniciativë që sjell më afër publikut artin, kreativitetin dhe talentet e reja shqiptare. Projekti zhvillohet nga TEG në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe me mbështetjen e Fondacionit Mane, duke e transformuar qendrën në një hapësirë dinamike dhe interaktive arti bashkëkohor.

Ekspozita kombinon artin tradicional dhe bashkëkohor, me fokus në shprehjen vizuale, eksperimentimin grafik dhe krijimet tekstile.

Studentët e Universitetit të Arteve realizojnë instalacione, punime grafike dhe krijime artistike live përpara publikut, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të ndjekin nga afër të gjithë procesin krijues, nga konceptimi dhe përgatitja deri te finalizimi i veprave artistike.

Përmes “MAKING”, TEG, Universiteti i Arteve dhe Fondacioni Mane synojnë të krijojnë një eksperiencë ndryshe për publikun, duke e prezantuar artin jo vetëm si një produkt final, por edhe si një proces reflektimi, komunikimi dhe eksplorimi kreativ.

Kjo iniciativë vjen në vazhdën e angazhimit të vazhdueshëm për mbështetjen e kulturës, artistëve të rinj dhe zhvillimin e industrive kreative në Shqipëri.

Ekspozita mund të vizitohet pranë Hyrjes së Gjelbër në TEG.