Skandal në tregun e pasurive të paluajtshme/ Tatimet zbulojnë 5.4 milionë euro të padeklaruara në agjenci imobiliare

Tatimet kanë zbuluar shkelje në deklarimin e vlerës reale të shitjes së apartamenteve, si edhe në mosdeklarimin e përqindjeve që përfitojnë kompanitë e real estate.

Sipas deklaratës për mediat, në kontrollin e një agjencie imobiliare me shtrirje në 25 zyra, u zbuluan 5.4 milionë euro të ardhura të padeklaruara.

Megjithatë, nuk ka të dhëna se sa është shuma e parave të paguara “në dorë”, jashtë kontratës, për pronat e shitura.

Hetimet janë zhvilluar në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë, ku gjithçka ka dalë në dritë nga materialet e sekuestruara në kompjuterët e agjencisë imobiliare. Verifikimet bëhet e ditur se kanë nisur pas dorëzimit të bilancit, pasi u vunë re mospërputhje mes asaj që ishte deklaruar dhe xhiros reale.

Prej fillimit të muajit, tatimet kanë vënë në fokus kontrollin në sektorin e ndërtimit, ku në raportin e parë janë konstatuar shkelje edhe në deklarimin e punonjësve.

Por nuk ka munguar as hetimi i subjekteve që realizojnë ndërtimin dhe e shesin pa ndërmjetësimin e agjencive.

Vetëm më 10 mars të këtij viti, në bregdetin e Vlorës, një kompanie iu zbuluan 6.7 milionë euro të fshehura. Në atë kohë u tha se rasti do të referohej për ndjekje penale.

Në dekadën e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimit të shitjes së apartamenteve, ndërsa qeveria ka ndryshuar disa herë hartën e vlerave minimale të shitjes. Edhe pse kjo ka sjellë rritje të deklarimeve, nuk është eliminuar pagesa “në dorë”, jashtë sistemit bankar, duke shkaktuar jo vetëm evazion fiskal, por edhe dyshime për pastrim parash nga grupe apo individë të ndryshëm.