Hima: Mbrojtja fizike dhe kibernetike e infrastrukturës energjetike, thelbësore
Siguria energjetike konsiderohet tashmë pjesë e sigurisë kombëtare dhe kërkon një qasje të integruar që përfshin prodhimin, rrjetin e shpërndarjes, rezervat dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Kjo u theksua në samitin “Energy Security – Lessons from Ukraine”, të zhvilluar në Berlin nga Ministria e Jashtme gjermane, ku të pranishëm ishin edhe drejtues të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Administratori i OSHEE, Mentor Hima, vlerësoi se decentralizimi i prodhimit dhe zhvillimi i burimeve të rinovueshme rrisin ndjeshëm qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik.
Sipas tij, mbrojtja fizike dhe kibernetike e infrastrukturës energjetike është thelbësore, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar dhe solidariteti europian mbeten vendimtarë për përballimin e krizave energjetike.
“Për Shqipërinë, prioritetet strategjike përfshijnë diversifikimi i burimeve të prodhimit përmes energjisë diellore dhe eolike, si dhe zhvillimi i sistemeve të ruajtjes me bateri, me qëllim uljen e varësisë nga kushtet hidrike dhe rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik”, tha Hima.
Po ashtu, tha ai, prioritet është edhe forcimi i sigurisë kibernetike dhe fizike të infrastrukturës, modernizimi i rrjetit përmes teknologjive smart metering dhe smart grid, si dhe thellimi i integrimit në tregun rajonal dhe europian të energjisë.
Sipas Himës, siguria energjetike e Shqipërisë nuk lidhet vetëm me kapacitetet prodhuese, por edhe me aftësinë e sistemit për të përballuar kriza, për të garantuar furnizim të pandërprerë dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik të vendit.

