PAMJET/ Kroçiera “Brilliance of the Seas” me 2264 pasagjerë ndalon në Sarandë
Në portin e Sarandës në orët e para të mëngjesit të sotëm ka mbërritur kroçiera “Brilliance of the Seas”, me 2264 pasagjerë në bord, të kombësive të ndryshme.
Drejtori i Portit të Sarandës, Admir Malaj tha sot për ATSH-në se “mbërritja e kësaj kroçiere vijon të konfirmojë interesin në rritje të turistëve të huaj për rivierën shqiptare dhe portin e Sarandës si një nga pikat më të rëndësishme turistike në vend”.
“Vizitorët pritet të njihen me bukuritë turistike dhe kulturore të zonës, duke zhvilluar vizita në destinacionet më të frekuentuara pranë qytetit”, tha Malaj.
Kjo është kroçiera e dytë që vjen këtë muaj në Sarandë, pas “MS Oosterdam” me 1867 turistë që vizitoi qytetin bregdetar në 11 maj.

Për vitin 2026 porti i Sarandës është rezervuar nga 28 kroçiera, që do të sjellin turistë nga e gjithë bota.
Gjatë sezonit turistik Porti i Sarandës ka shtuar forcën e sigurisë dhe bashkëpunimin me policinë kufitare, kapitenerinë dhe drejtorinë e Doganës Sarandë.
Çdo vit qyteti bregdetar i Sarandës, një nga portat që hap për vizitorët jugun e vendit, pret mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët mbërrijnë në port edhe me kroçiera.

