KONFERENCA NDËRQEVERITARE SHQIPËRI-BE/ Rama: Vulosje me sukses të fazës hyrëse të negociatave për anëtarësim

Kryeministri Edi Rama ka folur për Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian të 26 majit në Bruksel, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në procesin e negociatave të vendit.

Sipas tij, takimi në Bruksel është pjesë e vlerësimit të punës së bërë nga Shqipëria pas hapjes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian dhe vazhdimit të procesit drejt anëtarësimit.

Rama ka kritikuar gjithashtu një pjesë të debatit politik dhe mediatik në vend, duke thënë se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje për ta paraqitur Shqipërinë në mënyrë negative në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

Ai shton se pavarësisht këtyre, procesi i integrimit nuk është ndalur dhe Shqipëria ka vijuar të ecë përpara në rrugën europiane.

Sipas kryeministrit, Konferenca e 26 majit në Bruksel shënon mbylljen e një faze dhe hapjen e një faze të re në negociatat me BE-në, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit.

Rama shprehet se synimi i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:

Por, ashtu siç dihej, shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.

Ai ballafaqim mori kohën e vet, ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, duke u gëzuar si fëmijë kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve dhe flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në mediat e botës.

Mblidh benzinë dhe hidh bomba artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan gjithashtu kanaleve dhe portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh, valë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte dhe llumi proverbial, krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin.

Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidh e hidh lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim dhe izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të.

Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, sepse gjithnjë nga ajo mendje e tyre e cekët dhe e mbrapshtë, dhe në fund humbën me turp, ndërsa Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari.

Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian vulosi përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hapi fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar.