Shqipëria në qendër të diplomacisë aziatike/ Rama: Rritje historike e respektit ndërkombëtar për vendin tonë
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur, në “Shënimet e javës”, se vizita e tij në Kore të Jugut dhe Japoni ka treguar rritjen e interesit për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Ai ka thënë se në të dy vendet është vënë re një vëmendje më e madhe ndaj Shqipërisë dhe një gatishmëri për bashkëpunim në fusha të ndryshme si teknologjia, inteligjenca artificiale, industria ushtarake dhe turizmi.
Rama ka marrë pjesë në Konferencën Aziatike të Lidershipit dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të biznesit dhe institucioneve në rajon, ku është diskutuar për mundësi investimesh në Shqipëri.
Në Tokio, ai është pritur në një takim zyrtar nga kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, me të cilën është diskutuar zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes dy vendeve.
Po ashtu është folur edhe për mbështetjen e Japonisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë vizitës, Rama ka mbajtur edhe një fjalim në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku ka folur për transformimin e Shqipërisë dhe procesin e negociatave me BE-në.
Sipas tij, Shqipëria po trajtohet gjithnjë e më shumë si një partner i besueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si një vend me potencial për investime dhe bashkëpunim afatgjatë.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:
Përshëndetje nga Tokio, prej ku, mu përpara nisjes për në Shqipëri, po i regjistroj këto shënime pas një jave, domethënë për Shqipërinë dhe për mënyrën se si vendi ynë po rritet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Natyrisht, jo në përmasa të mëdha, por në shkallën e respektit dhe të vlerësimit për dinjitetin me të cilin ndërveprojmë në komunitetin e shteteve.
Fillimisht, në Korenë e Jugut dhe më pas në Japoni, ishin dy stacione ku gjetëm një interes të shtuar për Shqipërinë, një dëshirë të qartë për bashkëpunim dhe për forcim të miqësive të natyrshme mes vendeve demokratike.
Në Konferencën Aziatike të Lidershipit pata rastin të flas si i ftuar nderi, me një përfaqësi të gjerë të komunitetit ekonomik të kësaj pjese të zhvilluar të botës. Fola për transformimet e mëdha të Shqipërisë, nga izolimi drejt Bashkimit Europian.
Më pas, në takimin me kryeministrin Kim Min-seok, u ndalëm në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në inteligjencë artificiale, teknologji digjitale, industri ushtarake dhe turizëm, duke përmendur edhe simbolikën e takimit që përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona.
Aty takuam gjithashtu një sërë kompanish të mëdha dhe prestigjioze, ku u vu re një interes i qartë për Shqipërinë si shembull suksesi dhe si destinacion potencial për investime.
Më pas, në Tokio, vizita konfirmoi rritjen e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë. Ishte një nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga kryeministrja Sanae Takaichi, me të cilën u krijua menjëherë një komunikim i drejtpërdrejtë dhe miqësor.
Diskutuam zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, teknologji, energji, mbrojtje dhe turizëm. Po ashtu, u vu në dukje mbështetja e Japonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një shprehje respekti për rrugën e transformimit të shtetit shqiptar dhe zhvillimin e tij të qëndrueshëm.
Ishte kënaqësi edhe fjala në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku ndava me studentë, diplomatë dhe akademikë historinë e transformimit të Shqipërisë dhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Takimet me strukturat e parlamentit japonez, kryeparlamentarin dhe deputetët e Ligës së Miqve të Shqipërisë, si dhe me komunitetin e biznesit, ishin po ashtu të rëndësishme dhe me shumë interes.
Në përfundim, Shqipëria po hyn gjithnjë e më natyrshëm në hapësirat e dialogut dhe partneriteteve ndërkombëtare, gjë që deri para pak vitesh do të ishte e vështirë edhe të imagjinohej.

