“Parlamenti do të tronditet”/ Maliqi: Nga 140 deputetë, vetëm 40 mund të mbijetojnë me lista të hapura

I ftuar në studion e Ora News, ish-deputeti Lefter Maliqi komentoi zhvillimet politike në vend, debatin për listat e hapura dhe situatën në burgjet shqiptare.

Gjatë intervistës, Maliqi foli për mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, duke u ndalur te modeli i listave të hapura, që sipas tij do të sillte një goditje të fortë për klasën aktuale politike.

“Këta 140 deputetë, po u bënë listat e hapura si në Kosovë, nga këta po të shikoni 40 që marrin mandat përsëri është shumë. Janë konsumuar politikisht dhe populli nuk i do më.”-tha Maliqi.

Ai u shpreh se shumë qytetarë, por edhe mbështetës të partive politike, ndihen të zhgënjyer nga situata aktuale dhe nga mënyra si funksionon politika në vend. Sipas Maliqit, listat e mbyllura kanë krijuar përçarje dhe pakënaqësi brenda vetë partive.

Në intervistë ai ndaloi edhe te gjendja në burgje, duke e lidhur atë me situatën e sigurisë dhe kriminalitetit në vend. Maliqi përmendi rastin e Ilir Meta dhe kontrastin me atë që, sipas tij, ndodh në burgjet e sigurisë së lartë.

“Ilir Meta rri në një qeli të ngushtë si i arrestuar politik, ndërsa në burgjet e sigurisë së lartë ka telefona, festa, drogë dhe njerëz që kërcënojnë nga qelitë.”-shtoi ai.

Më tej, Maliqi foli për problemet me kriminalitetin, largimin e qytetarëve nga vendi dhe pakënaqësitë ndaj qeverisë, duke e cilësuar situatën si një moment të vështirë për politikën dhe institucionet në Shqipëri.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: