Berisha në garë me veten, Bozdo: PD ka vendosur standard të ri votimi!
Deputeti demokrat, Eno Bozdo, ka folur mbi procesin e votimit të zhvilluar në Partinë Demokratike, për kreun e kësaj force politike, ku në garë ishte vetëm Sali Berisha.
I ftuar në SYRI TV Bozdo u shpreh, se me referendumin për Berishën, PD, sipas tij ka vendosur standard të ri në votim.
Ai thotë se votat po numërohen në degët ku janë hedhur dhe jo në selinë qendrore, duke e konsideruar këtë një standard transparence.
Sipas tij, procesi ka qënë demokratikë, ndërsa shifrat kanë treguar se pjesëmarrja ka qënë e lartë.
“Të shohim shifrat, sepse besoj se do të na japin një panoramë shumë të qartë të asaj që po ndodh.
Kam përshtypjen që, në përgjithësi, ky ka qenë qëndrimi ynë vazhdimisht. Nuk e kemi sjellë, si në rastin e votimeve në gjithë republikën, që i kemi numëruar në seli. Por kjo, shikoni, votat duhet të numërohen atje ku hidhen. Dhe ne e kemi lënë të hapur për mediat; pra, le të themi, kur numërohen votat në Berat, meqenëse i takoj asaj zone, mediat do të jenë atje.
Tani po shikoj që po numërohen në dhomën tjetër këtu, në hyrjen tjetër, votat për Këshillin Kombëtar dhe për degën 2 të Tiranës; janë të gjitha mediat të fokusuara.
Transparenca është shumë e rëndësishme në këtë proces: numërimi i votës një më një dhe dalja e rezultatit ekzaktësisht ashtu siç e ka hedhur votën demokrati, siç ka dashur të votojë. Kështu që jemi të përkushtuar për të bërë procesin më të mirë dhe më transparent. Dhe besoj që sot po e arrijmë.
Është një ndër proceset më të mira, që nuk shënohet si i tillë vetëm për pjesëmarrjen e qartë të demokratëve, por në mënyrë absolute edhe për shkak të punës së madhe përgatitore, pasqyrimit, reflektimit dhe pastrimit të listave në lista reale, jo lista të tejfryra, siç kemi pasur situata para shumë vitesh, kur listat trashëgoheshin nga viti në vit.
Besoj që është një ndër proceset, ndoshta procesi më i mirë nga pikëpamja organizative. Dy-tri gjëra të vogla për t’u korrigjuar, që nuk quhen as gabime, janë të pashmangshme në një proces të tillë. Por nga pikëpamja e standardit të organizimit zgjedhor dhe transparencës, Partia Demokratike sot ka vendosur një standard të ri. Një standard i ri që do të përshëndetet nga shqiptarët dhe do të vlerësohet shumë për këtë punë që është bërë.’, tha Bozdo.

