VULOSET RIKONFIRMIMI!/ Sali Berisha sërish në krye të PD-së me 37.341 vota pro në të gjithë vendin
Sali Berisha është rikonfirmuar në drejtimin e Partisë Demokratike pas procesit të votimit të zhvilluar në 77 degë të partisë në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave paraprake, nga 39 441 vota të numëruara gjithsej, 38 902 janë vota të vlefshme. Nga këto, 37 341 vota kanë qenë pro Sali Berishës.
Të dhënat janë bërë publike nga Albana Vokshi, e cila në një prononcim për mediat deklaroi se nga 38 902 vota të numëruara 37 341 janë pro Berishës.
“Përmes një procesit transparent, të rregullt të qetë dhe me një pjesëmarrje masive.
Nga përpunimi i të dhënave paraprake, 77 degët e PD, numri total i votave të numëruara është 39 441. Pra rreth 40 mijë.
Vota të vlefshme, 38 902. Vota pro kryetarit Sali Berisha 37 341”, tha Vokshi.
Pas shpalljes së rezultateve, Berisha ka shprehur mirënjohje për anëtarët e PD që morën pjesë në votim.
Ai ka falënderuar si mbështetësit, ashtu edhe ata që votuan kundër apo abstenuan, duke thënë se zëri i tyre do të merret në konsideratë në të ardhmen.
Ai ka vlerësuar gjithashtu komisionerët në të gjithë vendin për organizimin e procesit.

