Drejtësia ndërkombëtare në Palermo/ Kryeprokurori Braho prezanton qasjen kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, ka marrë pjesë në një takim ndërkombëtar të zhvilluar në Palermo të Italisë më 22–23 maj, me temë bashkëpunimin ligjor ndërkombëtar dhe luftën ndaj krimit të organizuar transnacional.

Takimi u zhvillua në Pallatin e Drejtësisë dhe u organizua në përkujtim të Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga vende të Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine.

Gjatë diskutimeve, Braho ka folur për sfidat që paraqet sot krimi i organizuar, i cili sipas tij vepron përmes rrjeteve ndërkombëtare dhe përshtatet me zhvillimet teknologjike dhe financiare. Ai ka vënë në dukje rëndësinë e hetimeve që ndjekin gjithë zinxhirin e aktivitetit kriminal, nga organizimi i tij deri te pastrimi i parave dhe destinacioni i përfitimeve të paligjshme.

Gjithashtu është diskutuar edhe mënyra e trajtimit të këtij fenomeni në publik, duke u bërë thirrje që të shmangen përgjithësimet mbi bazë kombësie apo përkatësie, dhe që fokusi të jetë te individët dhe rrjetet kriminale konkrete.

SPAK ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i informacionit dhe hetimet financiare janë elementë kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.