Balliu ndërtuesit Armando Lilo: Takohemi nesër në gjykatë në orën 10:30
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas padisë së ngritur ndaj tij në gjykatë nga ndërtuesi Armando Lilo, pas denoncimeve të tij tek pallati i djegur tek zona e ‘Farmacisë 10’ në Tiranë.
Balliu e ka cilësuar padinë si një përpjekje për të heshtur denoncimet publike.
Duke folur nga ambientet pranë një pallati që u dogj Balliu ka ngritur akuza për leje ndërtimi dhe shtesa pa leje.
Reagimi i deputetit Klevis Balliu:
Jemi këtu tek pallati i Armando Lilos, një nga biznesmenët e preferuar të qeverisë, që merr edhe leje për kulla dhe ndërton kate pa leje, ndërkohë që qytetarët për një dritare arrestohen, futen në burg. Ky pallat u dogj para pak kohësh dhe unë erdha të denoncoj materialet.
Për këtë arsye, Armando Lilo, në vend që të merret me qytetarët që i kanë dhënë miliona euro për të blerë një shtëpi dhe për të qenë të sigurt, ai merret me mua sepse unë kam denoncuar materialet e këtij pallati.
Dhe ja ku është edhe fletëthirrja e gjykatës. Mua kjo nuk më impresionon se unë i kam nja 500 procedime penale nga qeveria e Armando Lilos, por thjesht për të evidentuar që në vend që të merret me qytetarët që i kanë dhënë paratë për të patur një shtëpi të sigurt, ky merret me mua.
Gjithsesi, nesër në orën 10:30 do takohemi me shokun Lilo në gjykatë.
