“DIELLA” MES SHQIPËRISË E KORESË SË JUGUT/ Rama në Seul: Bashkëpunim me fokus teknologjinë dhe turizmin

Kryeministri Edi Rama u takua në Seul me homologun koreano-jugor ku diskutuan forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Koresë së Jugut në teknologji, inteligjencë artificiale, turizëm dhe investime. Kryeministri korean vlerësoi edhe “Diellën”, ministren virtuale shqiptare me AI, ndërsa Rama theksoi se Koreja mbetet një model frymëzimi për zhvillimin e Shqipërisë.

Shqipëria dhe Koreja e Jugut do të forcojnë bashkëpunimin me fokus teknologjinë, Inteligjencën Artificiale dhe turizmin!

Kryeministri Edi Rama u takua me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, në Seul, ku diskutuan për hapjen e një faqeje të re të marrëdhënieve mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit.

Kryeministri i Republikës së Koresë, sipas zyrës së shtypit, i konfirmoi kreut të qeverisë shqiptare se “pret me padurim zgjerimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit me Shqipërinë”, duke vënë në dukje se vendi ballkanik ka emëruar atë që njihet si “ministri i parë në botë për inteligjencën artificiale (AI)”.

Vlerësimi është për Diellën, ministren virtuale për Prokurimet Publike, e para e këtij lloji në botë.

Kryeministri Rama, në anën tjetër, tha se Koreja është një burim frymëzimi për Shqipërinë sa i përket zhvillimit kombëtar dhe se të dy vendet kanë shumë ngjashmëri, pasi kanë kapërcyer vështirësi dhe kanë arritur zhvillim ekonomik dhe demokraci, edhe pse janë larg gjeografikisht.

Ai theksoi në takim se Shqipëria është e interesuar të forcojë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, investimeve dhe inteligjencës artificiale.

Takimi Rama-Minseok gjeti pasqyrim në median e Koresë së Jugut, që theksoi angazhimin e dy liderëve për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të dyanshëm.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Korenë e Jugut i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe një delegacion zyrtar.

Kreu i qeverisë merr pjesë si i ftuar i nderit në Konferencën prestigjioze të Lidershipit Aziatik, ndërsa agjenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.