TË NDRYSHOJË FORMULA E INTEGRIMIT/ 5 shtete letër unionit: Anëtarësim gradual ballkanit
Pesë shtete të unionit i kanë kërkuar komisionit evropian ndryshimin e formulës së anëtarësimit të vendeve të ballkanit. Në një dokument konfidencial të dërguar 27 shteteve anëtare, Austria, Republika Çeke, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia theksojnë se qasja në tregun e përbashkët duhet rishikuar “Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të çuar përpara integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”
“Qasja e bazuar në meritë – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e vetëm evropian përfaqëson një nxitje të tillë”, thuhet në projektin e zbuluar nga euroactiv.
Sipas këtij propozimi “integrim sistematik sektorial” do të përfshinte zgjerimin e gamës së programeve të BE-së në të cilat mund të marrin pjesë vende si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe puna do të vijojë me plotësimin e detyrimeve të vendeve kapitull pas kapitulli.
“Integrimi gradual… duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike sapo një kandidat të tregojë një nivel të lartë përputhshmërie me acquis të BE-së në sektorin përkatës”, thuhet në dokument.
Tregjet, transporti, energjia, tregu i vetëm dixhital, strategjitë e konkurrueshmërisë dhe politikat kritike të lëndëve të para janë disa nga fushat ku mund të bëhet përfshirja e menjëhershme e vedeve të ballkanit. Po ashtu një pikë e rëndësishme i jepet dhe lëvizjes së të rinjve në Union.
Megjithatë në dokument nuk është përfshirë kërkesa e shqipërisë që njëkohësisht shtetet kandidate të marrin statusin e vëzhguesit në organet e BE-së edhe pa mbyllur kapitujt e negociatave.
Euroactiv shton se Autorët e dokumentit i bënë thirrje komisioneres së zgjerimit Marta Kos që të dilte me ide të reja përgjatë këtyre linjave.
“Kjo qasje do të zgjeronte dhe forconte tregun e vetëm, duke kontribuar në rëndësinë gjeoekonomike dhe autonominë strategjike të BE-së, ndërkohë që do t’i afronte kandidatët dhe do të ndihmonte në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta”, thuhet në dokument.
