Helmimi i 52 studentëve në Akademinë e Sigurisë “fundos” drejtorin e AKU-së Tiranë, Ersid Hasesallari largohet nga detyra
Pas helmimit të 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, Ersid Hasesallari është larguar nga drejtimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Tiranë.
Ai është emëruar në një detyrë të re si drejtor i Mjedisit pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, detyrë që e ka marrë zyrtarisht të premten.
Ndërkohë, ish-drejtori i AKU-së do të paraqitet nesër në Prokurorinë e Tiranës për t’u pyetur lidhur me rastin e helmimit të ndodhur në Akademinë e Sigurisë.
Ngjarja ndodhi pasi 52 studentë konsumuan ushqimin e sjellë nga kompania e kateringut “SORI-AL”. Sipas analizave laboratorike, makaronat e përdorura në ushqim rezultuan të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
Pas kontrolleve të kryera, AKU vendosi të bllokojë aktivitetin e kompanisë dhe ta gjobisë me 1.5 milionë lekë për shkelje të kushteve higjeno-sanitare dhe tregtim të ushqimit të pasigurt.

