Sporti i mundjes mbledh garues nga e gjithë Shqipëria në Gollobordë, zhvillohet kupa tradicionale

Zhvillohet kampionati i mundjes në Gollobordë. Sporti i mundjes tradicionale ka bashkuar sportistë të shumtë nga zona e Gollobordës në Bulqizë dhe shumë vende të tjera.

Bashkia Bulqizë në bashkëpunim me Shoqatën e Mundjes së Gollobordës, ka mundësuar zhvillimin e Kupës së 13-të tradicionale në sportin e mundjes në Ostrenin e Madh, të zonës së Gollobordës, ku morën pjesë sportistë të grupmoshave të ndryshme, jo vetëm nga zona e Gollobordës që tradicionalisht njihet për ushtrimin e sportit të mundjes, por edhe të ardhur nga qytete të tjera të vendit.

Po ashtu aktiviteti u ndoq nga kryetarët e bashkive Dibër e Mat, Rahim Spahiu e Altin Bojni, si dhe Ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë Ivaylo Kirov.

Ky aktivitet që tashmë është kthyer i përvitshëm, startoi me një koncert festiv të përgatitur nga nxënësit e Shkollës së Mesme Ostren, ku vajzat me veshjen tradicionale të zonës, nën ritmin e këngëve e valleve, ngjallën mjaft emocione për të pranishmit e shumtë në këtë event. Kryebashkiakja Festime Mjeshtri tha se ky organizim nuk është vetëm garë, por edhe promovim i kulturës së zonës së Bulqizës.

Ish-mundësi Ajet Duka tha se ky sport është po aq i vjetër sa vetë Golloborda.

Aktiviteti filloi me garat për Kupën e Mundjes Tradicionale të Gollobordës, të cilat u shoqëruan nga grupi i daulleve dhe curleve të zonës, ku garuan tre grupe.

Për grupin e parë të të rinjve deri 15-vjeç, fitues u shpall Leon Halilaj nga Lladomerica; për grupin e dytë të rinj 15–20 vjeç fitues u shpall Ibrahim Sula nga Tirana; dhe për grupmoshën e rritur mbi 20 vjeç fitues u shpall Paris Karepi, i cili fitoi kupën kryesore dhe dashin, simbol i kësaj gare tradicionale.