“Në këtë fazë të sezonit, shtohen dëmtimet muskulare”/ Fizioterapisti Demi: Gjendja fizike e lojtarëve përkeqësohet në fund të kampionatit

Në emisionin “Ora Sport” në Ora News ishte i ftuar fizioterapisti Klajv Demi, i cili foli për rritjen e dëmtimeve muskulare në fundin e sezonit futbollistik dhe sfidat që po hasin skuadrat në këtë periudhë.

Ai u ndal te ngarkesa e lartë e lojtarëve gjatë gjithë sezonit dhe ndikimi që ka intensiteti i “Final Four” në rritjen e dëmtimeve si tërheqjet muskulare dhe problemet me aduktorët apo hamstring-un.

“Në këtë fazë të sezonit, kur të gjithë kërkojnë maksimumin në Final Four, fillojnë edhe dëmtimet muskulare. Është një periudhë e vështirë për menaxhim.”-tha Demi.

Sipas tij, situata është e zakonshme në fundin e kampionatit, pasi trupi i lojtarëve ka akumuluar ngarkesë gjatë gjithë vitit dhe bëhet më i ndjeshëm ndaj dëmtimeve.

Ai shtoi se disa skuadra kanë mundësi të menaxhojnë më mirë energjinë e lojtarëve, duke i kursyer në ndeshje të caktuara për t’i ruajtur për fazën finale.

“Kam lojtarë të Dinamos që aktualisht po trajtohen në klinikë. Është faza kur duhet rikuperim, qetësim muskulor dhe pastaj kthim gradual në stërvitje.”-shtoi fizioterapisti.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT" NË ORA NEWS: