"Nuk jemi këtu për të plotësuar numrin"/ Pinari për Dinamon në "Final Four": Ne do të luajmë për veten tonë

Në emisionin “Ora Sport” në Ora News ishte i ftuar drejtori sportiv i Dinamo, Luan Pinari, i cili foli për përgatitjet e skuadrës në prag të fazës “Final Four” të kampionatit.

Ai u ndal te pritshmëritë për Dinamon, duke reaguar ndaj perceptimit se skuadra shihet si pjesëmarrëse pa objektiva të mëdha.

Sipas tij, ekipi hyn në këtë fazë me qëllim të qartë për të konkurruar deri në fund.

Në studio u diskutuan edhe ndeshjet e fundit të Dinamos, përballjet me Vllazninë, Elbasanin dhe Egnatian, si dhe niveli i garës që skuadra ka treguar në këto sfida.

“Me Vllazninë dhe Elbasanin kemi pasur ndeshje të forta, me rivalitet të vazhdueshëm. Edhe me Egnatian në kupë ishte një përballje shumë e fortë. Ka pasur një perceptim se Dinamo vjen vetëm për pjesëmarrje në Final Four, por ne mendojmë ndryshe.”-tha Pinari.

Nga klubi u përsërit ideja se skuadra do të hyjë në fushë për të luajtur seriozisht çdo ndeshje, me fokus te loja dhe përgjegjësia sportive.

“Ne do të luajmë për veten tonë, për futbollin dhe për lojtarët, sepse kjo është ajo që ka rëndësi në fund.”-shtoi ai.

Mesazhi i Dinamos vjen në një moment vendimtar të sezonit, ku skuadra kërkon të shihet si pjesë aktive e garës dhe jo si figurante në Final Four.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT" NË ORA NEWS: