Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore kalon në varësi të Ministrisë së Mjedisit
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për burimet ujore’, të ndryshuar”, i cili parashikon kalimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në varësi të Ministrisë së Mjedisit.
Projektligji u prezantua sot në mbledhjen e komisionit nga zëvendësministri i Mjedisit, Gent Gazheli, i cili theksoi se ndryshimet synojnë forcimin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore dhe harmonizimin e mëtejshëm me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Sipas Gazhelit, kalimi i agjencisë në varësi të Ministrisë së Mjedisit është në përputhje me qasjen e Komisionit Europian, që e konsideron menaxhimin e ujit si një çështje të lidhur ngushtë me politikat mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Ky ndryshim do të ndihmojë në koordinimin më të mirë të politikave për menaxhimin e ujit dhe në rritjen e eficiensës institucionale në këtë sektor”, deklaroi Gazheli.
Ai bëri të ditur se projektligji vjen në zbatim të sugjerimeve të raportit të SIGMA-s 2025, si dhe rekomandimeve për reformimin e administratës shtetërore, që parashikon rishikimin e varësisë institucionale të agjencive.
Janë 26 agjenci në varësi të Kryeministrisë, të cilat parashikohet të kalojnë gradualisht në varësi të ministrive përkatëse, me synim përmirësimin e menaxhimit dhe rritjen e përgjegjshmërisë administrative.
Në relacionin shoqërues të projektligjit theksohet se ndryshimet do të kontribuojnë në forcimin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe përafrimin me standardet europiane në fushën e mjedisit dhe ujërave.
Anëtarët e komisionit diskutuan mbi rëndësinë e reformës institucionale dhe ndikimin që pritet të ketë ajo në administrimin më efikas të burimeve ujore në vend.

