Falja e detyrimeve tatimore, Stefani: Ndihmon pastrimin e barrës së borxheve të vjetra

Detyrimet e vjetra tatimore, të mbetura pezull prej vitesh në regjistrat e administratës, janë kthyer në një pengesë reale për vazhdimësinë e shumë bizneseve në Shqipëri.

Nisma për faljen e këtyre detyrimeve shihet si një hap i domosdoshëm për të zhbllokuar aktivitetin ekonomik, edhe pse nuk duhet ngatërruar me procesin më të gjerë të paqes fiskale, që lidhet me rideklarimin e aseteve.

Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte eksperti kontabël, Edvin Stefani, i cili tha se falja e detyrimeve është një proces që synon të pastrojë regjistrat tatimorë nga borxhet e prapambetura, të cilat administrata nuk ka më mundësi t’i mbledhë. Këto detyrime, megjithëse të pavjelshme, nuk janë vetëm shifra statistikore.

Ato funksionojnë si një barrierë burokratike që pengon sipërmarrësit të riaktivizojnë apo të trashëgojnë një biznes.

" Në fakt, paqja fiskale, pjesa e rideklarimit të të aseteve, të parasë, të llogarisë ortak, të cilat janë problematika aktuale të tranzicionit shqiptar, është thelbi i çështjes.

Falja e detyrimeve i shoqëron këtë gjë, por nuk janë domosdoshmërisht komplementare me njëra-tjetrën.

Pra, nuk është se e ndihmojnë njëra-tjetrën.

Falja e detyrimeve është një proces në të cilin ekzistojnë në regjistrat e administratës tatimore detyrime të vjetra, të prapambetura, të cilat nuk janë marrë më dot, nuk arrijnë të vilen më dot këto lloj detyrimesh.

Dhe, në një farë mënyre jo vetëm që nuk vilen dot, por këto janë kthyer dhe në një farë mënyre pengesë për biznesin.

Pra, i referohem një rasti që një komshiu tim, i cili kishte nisur një biznes, kishte marrë një detyrim të caktuar dhe në një moment e kishte ndërprerë biznesin, ndonëse kishte qejf, i ishte rritur djali, donte ta bënte atë biznes, përsëri nuk kishte më mundësi sepse kishte këto detyrime të vjetra. 

Kishte gjoba të papaguara, gjoba të prapambetura dhe djali i tij që ishte rritur tashmë nuk mund ta vazhdonte dot më biznesin në emër të babait, së bashku me babain, sepse kishin, në momentin që ti i adresohesh administratës, do paguash këto detyrime që të vazhdosh punën", u shpreh Stefani.

Ndiqni intervistën e plotë: