BB vlerëson Bankën e Shqipërisë për stabilitetin financiar dhe uljen e kredive me probleme

Në takimin mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe përfaqësuesve të Banka Botërore dhe International Finance Corporation u diskutuan çështje që lidhen me stabilitetin ekonomik dhe monetar, mbikëqyrjen bankare, procesin e integrimit në SEPA si dhe zhvillimet në financën digjitale.

Sejko theksoi se “ekonomia shqiptare dhe treguesit e stabilitetit financiar janë në një trend pozitiv zhvillimi”, ndërsa përfaqësuesi i BB-së, Massimiliano Paolucci, vlerësoi “uljen e ndjeshme të kredive me probleme dhe përmirësimin e kuadrit financiar në vend”.

Në vijim të takimit, Guvernatori Sejko shprehu vlerësim për asistencën teknike të ofruar nga Banka Botërore dhe IFC ndër vite, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, edukimit financiar dhe sistemeve të pagesave, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave në sektorin financiar.

Ai nënvizoi se, pavarësisht pasigurive në ekonominë globale, vendimet e politikës monetare do të mbeten të orientuara drejt objektivit të stabilitetit të çmimeve, ndërsa ndikimet e mundshme nga rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës pritet të jenë kalimtare.

Nga ana e tij, Paolucci, vlerësoi politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë, duke theksuar progresin në uljen e kredive me probleme nga nivelet e larta të një dekade më parë në rreth 3,8% aktualisht, si dhe zhvillimet në modernizimin e sistemeve të pagesave.

Në takim u diskutua gjithashtu procesi i integrimit në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), projektet për pagesa të shpejta në kohë reale (Instant Payments), si dhe nismat në fushën e financës digjitale, “Open Banking” dhe përmirësimit të infrastrukturës së të dhënave financiare.

Palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit dhe asistencës teknike në forcimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të sistemit financiar në Shqipëri.