Bashkia mbylli tregun ku punonin prej vitesh, tregtarët e Vlorës dalin në protestë: Kemi mall pa shitur dhe familje për të ushqyer
Tregtarët e qytetit të Vlorës kanë dalë ditën e sotme në protestë, pasi bashkia po u mbyll tregun ku ata punonin prej vitesh. Tregtarët e tregut industrial kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme nga institucionet, ndërsa një grup prej tyre është futur brenda ambienteve të bashkisë dhe kanë kërkuar takim me përfaqësuesit vendorë.
Tregtarët kanë deklaruar se deri në këto momente nuk u është ofruar asnjë alternativë për të vazhduar punën, ndërsa theksojnë se një pjesë e mallit të tyre ka mbetur në stok.
Për shumicën prej tyre, puna në treg është burimi i vetëm i të ardhuarve të tyre.
“Ne kërkojmë vetëm një zgjidhje për të punuar. Kemi mall pa shitur dhe familje për të ushqyer,” – u shprehën disa prej protestuesve gjatë tubimit.
Tregëtarët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestën e tyre, nëse nuk ka një zgjidhje nga autoritetet.
