Noterja Rezarta Koçi që i bëri ‘gol’ 4 milionë euro Mir Pepës. Cila bankë fshihet pas? Mesazh me tritol dhe një konflikt i hapur
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore Klodiana Lalën, publikoi detaje nga dosja hetimore e grupit kriminal të Jetmir Pepës dhe vëllezërve të tij, të cilët në 11 muajt e parë të vitit 2020, trafikuan nga Amerika Latine drejt Evropës, 7.5 ton kokainë. Një nga episodet më të rënda të këtij grupi kriminal është humbja e një sasie të madhe parash në një nga bankat prestigjoze, të nivelit të dytë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë.
Humbje e konsiderueshme parash për të cilën dy vëllezërit Pepa, akuzojnë një notere, cila sipas tyre ka bashkëpunuar në zhdukjen e sasisë së tyre prej 4 milionë euro. Prapaskena mëson se noterja që i ka bërë ‘golin’ 4 milionë euro Mir Pepës, i njohur si Kazanova i Kokainës, është Rezarta Koçi, një nga mashtrueset më të famshme të dekadave të fundit.
Noterja Rezarta Koçi është arrestuar më 4 shkurt 2022 për mashtrim me pasoja të rënda, vjedhje dhe shpërdorim detyre. Sipas dosjes, Koçi kishte mashtruar disa biznesmenë, duke u zhvatur miliona euro, ndërsa shumë të tjerë besohet se nuk kanë bërë denoncim. Noterja Koçi u dënua nga Gjykata e Apelit me 12 vite burg, por nga ulja e dënimit përfundimisht do të kryejë tetë vite burg.
Në rrjetën e mashtrimit të noteres Rezarta Koçi duket se ka rënë edhe Mir Pepa, i cili gjithashtu nuk ka bërë kallëzim penal, mesa duket për shkak se paratë e zhdukura buronin nga aktiviteti kriminal i trafikut të kokainës. Ndërkaq, në nëntor të vitit 2021, makina e noteres Rezarta Koçi u hodh në erë me tritol. Ka dyshime të forta se hedhja në erë e makinës është porositur nga një prej viktimave të saj të mashtrimit.
Në gusht të vitit 2020, gjatë një bisede që Jetmir Pepa zhvillon me vëllain e tij Urim Pepa, ata bëjnë plan të marrin peng administratorët e bankës, ndërsa akuzojnë noteren R.ezarta Koçin se ka bashkëpunuar në zhdukjen e një shume prej 4 milion euro.
‘Ta bëjmë vetë ne, apo të çojmë të tjerë’. Por si kanë humbur këto para dhe cila është lidhja e noteres në fjalë me vëllezërit Pepa? Dhe pse vëllezërit Pepa akuzojnë noteren për humbjen e parave?
Gjithçka duket se zbardhet edhe njëherë nga bisedat e tyre në Sky Ecc, ku del se vëllezërit Pepa, i kanë derdhur paratë e tyre në bankën në fjalë nëpërmjet llogarisë së noteres Rezarta Koçi. Por këtu duket se diçka e paqartë ka ndodhur dhe paratë nga sa shikohet kanë humbur çuditërisht destinacionin.
Ndërkohë që noterja ndryshe nga funksioni i saj primar, ka shërbyer si një koperturë e parave të pista që vëllezërit Pepa, fitonin nga paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Jetmir Pepa dhe vëllai i tij Aleksi akuzojnë noteren se ka bashkëpunuar me bankën në zhdukjen e parave. “Jam me Urimin, po më thotë si të organizohemi që të marrim peng, ose të paguajmë se kam njerëz apo do t’i marrim vetë peng”.
/Marre nga "Prapaskena"

