TELEGRAMI/ Krimet në shkolla dhe shpërndarja e dr*gërave, Hita i shkruan komisariateve: Zero tolerancë

Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, ka shpërndarë një telegram urgjent në të gjitha drejtoritë vendore dhe komisariatet e policisë në vend, duke kërkuar masa të menjëhershme për goditjen e shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta në shkolla dhe në perimetrin e tyre të sigurisë.

Në dokumentin e siguruar, Hita ngre shqetësimin për disa ngjarje të rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në ambiente arsimore me sende të ndaluara, duke shkaktuar incidente që kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e nxënësve, si edhe kanë cenuar zhvillimin normal të procesit mësimor.

Sipas telegramit, problematikat kryesore mbeten shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta. Kreu i Policisë së Shtetit pranon se një pjesë e këtyre rasteve kanë ardhur edhe si pasojë e reagimit të vonuar dhe punës së dobët të strukturave policore në terren.

TELEGRAMI/ Krimet në shkolla dhe shpërndarja e dr*gërave, Hita i

Në urdhrin drejtuar drejtuesve vendorë kërkohet organizimi i shërbimeve të posaçme policore në çdo institucion arsimor, duke angazhuar agjentë të policisë kriminale pranë shkollave për monitorimin e situatës dhe identifikimin e shpërndarësve të drogës.

Gjithashtu, janë urdhëruar kontrolle të befasishme nga strukturat e narkotikëve, komisariatet dhe forcat operacionale për kapjen në flagrancë të personave që futen në shkolla me lëndë narkotike.

Telegrami parashikon edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit për dokumentimin e aktivitetit kriminal pranë shkollave.

Ndërkohë, strukturat e Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me komisariatet, janë ngarkuar të ndalojnë shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç.

TELEGRAMI/ Krimet në shkolla dhe shpërndarja e dr*gërave, Hita i

Skënder Hita ka paralajmëruar masa disiplinore ndaj drejtuesve dhe efektivëve që nuk zbatojnë detyrat, duke kërkuar analiza të detajuara për çdo rast problematik dhe nisjen e hetimeve disiplinore kur konstatohen shkelje.

Në fund të telegramit, drejtoritë vendore të policisë urdhërohen të raportojnë çdo javë për masat e marra, rezultatet dhe problematikat e hasura në terren./Vizion Plus