“Stop dr*gës në shkolla”/ Policia mobilizon komisariatet dhe forcat operacionale në të gjithë vendin
Pas disa incidenteve të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, Policia e Shtetit ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë në shkolla dhe në zonat përreth tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një telegram të gjitha drejtorive vendore dhe komisariateve në vend për të nisur kontrolle dhe monitorime më të forta kundër shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta nga të rinjtë.
Sipas urdhrit, pranë shkollave do të angazhohen agjentë të policisë kriminale për të vëzhguar situatën dhe për të identifikuar persona që shpërndajnë lëndë narkotike.
Po ashtu do të zhvillohen kontrolle të befasishme nga strukturat e narkotikëve, komisariatet dhe forcat operacionale, me qëllim kapjen në flagrancë të personave që hyjnë në ambiente shkollore me sende të ndaluara.
Masat vijnë pas rasteve të ndodhura gjatë këtij viti shkollor, ku nxënës apo persona të tjerë kanë futur në shkolla armë të ftohta dhe lëndë narkotike, duke krijuar rrezik për sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Në planin e ri të policisë përfshihet edhe kontrolli i bizneseve pranë shkollave. Strukturat e Hetimit Ekonomik dhe Financiar janë urdhëruar të mos lejojnë shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç.

