Sezoni i provimeve në prag/ Ekspertja Llazo: Përgatitja paraprake ndihmon në uljen e ankthit dhe përmirësimin e rezultateve
Në studion e Ora News ishte e ftuar ekspertja e arsimit Ana Llazo, e cila foli për periudhën e provimeve që po afrohet për nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe maturantët.
Ajo u ndal te stresi që shoqëron këtë fazë dhe mënyrat se si nxënësit mund ta menaxhojnë më mirë atë. Sipas saj, periudha e provimeve është sfiduese, por me përgatitje të vazhdueshme dhe qasje të qetë, nxënësit mund të arrijnë rezultate më të mira.
Llazo vlerëson si pozitive publikimin e tezave parapërgatitore për provimet e lirimit dhe maturën shtetërore. Sipas saj, kjo praktikë i ndihmon nxënësit të njihen më herët me formatin e provimeve dhe të ndihen më të sigurt ditën e testimit. Ajo shton se kjo fazë shërben edhe si përgatitje mendore, duke ndihmuar në uljen e pasigurisë dhe rritjen e përqendrimit.
“Tezat parapërgatitore i ndihmojnë nxënësit të kuptojnë më mirë strukturën e provimit dhe të ndihen më të sigurt. Kjo ndikon edhe në anën psikologjike, sepse u jep më shumë qetësi para testimit.”-shtoi ai.
Ekspertja thekson se nxënësit nuk duhet ta shohin provimin si burim presioni, por si një proces normal vlerësimi. Ajo këshillon që të ruhet ritmi i mësimit dhe përqendrimi i fituar gjatë gjithë vitit shkollor, pa u futur në panik në ditët e fundit.
Sipas saj, presioni nuk prek vetëm nxënësit, por edhe familjet, ndaj është e rëndësishme të ruhet një klimë mbështetëse dhe e qetë në shtëpi.
“Provimi është pjesë normale e procesit shkollor. Nxënësit duhet të qëndrojnë të qetë, të fokusuar dhe të vazhdojnë përgatitjen pa stres të tepruar. Kjo sjell edhe rezultate më të mira.”- u shpreh Llazo.
Në përfundim, ekspertja nënvizon se menaxhimi i stresit dhe përgatitja e vazhdueshme janë dy elementët kryesorë që ndikojnë jo vetëm në rezultatet e provimeve, por edhe në mirëqenien psikologjike të nxënësve gjatë kësaj periudhe.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

