Grabitja në Kamëz/ Autorët u rrëzuan gjatë arratisjes me motor, zbardhet DËSHMIA e punonjëses: Nuk u përballa me grabitësit
Itinerari i autorëve të grabitjes së argjendarisë në Kamëz të shtunën është zbuluar nga kontrolli i kamerave të sigurisë. Mësohet se Policia e Tiranës po vijon kontrollet dhe verifikimet për identifikimin e tyre.
Sipas burimeve, autorët janë larguar menjëherë pas grabitjes në drejtim të Zallherrit, duke lëvizur me motor dhe gjithmonë të maskuar në çdo sekuencë filmike të pamjeve të kamerave të siguruara.
Në një moment ata kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar me motor, por më pas kanë vijuar arratisjen.
Ndërkohë, policia shoqëroi disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikim, nëse kanë lidhje me ngjarjen. Pavarësisht kontrolleve dhe shoqërimeve të kryera, autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e grabitjes. Hetuesit po analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje, ku rezulton se autorët kanë marrë sende ari dhe argjendi.
Në pyetje është marrë edhe punonjësja e argjendarisë, e cila ka deklaruar se nuk është përballur me grabitësit, pasi në momentin e ngjarjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.
