Strategjia e Diasporës 2026-2030, Hoxha: Fokus tek investimet dhe ruajtja e identitetit kombëtar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur sot se një nga prioritetet pas zhvillimit të Samitit IV të Diasporës është hartimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, së bashku me planin përkatës të veprimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se javën e kaluar u zhvillua një takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës, në kuadër të përpjekjeve për finalizimin e projektstrategjisë, duke reflektuar sugjerimet dhe rekomandimet e paraqitura gjatë dhe pas samitit.
Sipas tij, diskutimet me grupet e interesit synojnë promovimin e investimeve, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si edhe forcimin e bashkëpunimit të strukturuar ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Ministri nënvizoi se përmes këtij bashkëpunimi synohet krijimi i mekanizmave efektivë për angazhimin e profesionistëve shqiptarë në diasporë, si dhe transferimi i njohurive, ekspertizës dhe inovacionit në funksion të zhvillimit të Shqipërisë.
Ai bëri të ditur gjithashtu se në javët në vijim dokumenti do të bëhet publik për konsultim të gjerë me qytetarët, organizatat e diasporës, ekspertët dhe grupet e tjera të interesit, me synimin që strategjia të pasqyrojë nevojat dhe prioritetet e shqiptarëve kudo që jetojnë.
“Vetëm së bashku, në atdhe dhe në diasporë, si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, mund të ndërtojmë një Strategji që përcakton drejtimet kryesore të bashkëpunimit me diasporën shqiptare në planin institucional, ekonomik dhe social, edhe në funksion të objektivit madhor kombëtar, anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hoxha.
