Qeveria ashpërson rregullat për Gardën e Republikës: Efektivëve u ndalohet mbështetja politike
Kur jemi një vit larg nga zgjedhjet vendore qeveria ka ndryshuar rregulloren e gardës së republikës duke kërkuar që efektivët të qëndrojnë larg politikës.
Me hyrjen në fuqi të saktësimeve punonjësve u ndalohet të mbështesin fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose duke kontribuar fizikisht, ose financiarisht. Madje tashmë u ndalohet të shprehin publikisht bindje apo preference olitike. “Punonjësit të Gardës i ndalohet të marrë pjesë, edhe nëse nuk është në shërbim, në mbledhje e në tubime të partive, të shoqatave dhe të organizatave politike”saktësohet në dokument.
Në rregulloren e mëparshme atyre u kërkohej vetëm që) të mos angazhohet dhe të mos marrë pjesë në asnjë veprimtari politike, partiake, sindikale, tubime, mitingje.
Po ashtu në rishikimin e publikuar në fletoren zyrtare efektivëve të gardës u jepet e drejta të organizohet në sindikata për të mbrojtur interesat e tij profesionalë dhe të drejtat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Po ashtu shtohet e drejta për tu dhënë mundësinë të kandidojnë në funksione politike vetëm pasi të kenë hequr dorë nga detyra.
Megjithatë ata nuk duhet të kryejnë veprimtari politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, si dhe të mos kryejë veprimtari, që përbën konflikt interesi apo që mund të krijojë përshtypjen se punonjësi i Gardës së Republikës është i njëanshëm dhe i ndikuar.