Kuçana: Do ta votoj Sali Berishën përballë çdo kandidati, Rama përdori Sorosin për të shkatërruar opozitën

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana deklaroi publikisht nga studioja e lajmeve në “Ora Neës” mbështetjen e saj të palëkundur për Sali Berishën, duke theksuar se do ta votonte atë përballë çdo kandidati tjetër në zgjedhjet e ardhshme për kryetar partie.

Gjatë një interviste dhënë për gazetaren Sonila Musai, Kuçana argumentoi se Berisha nuk ka asnjë konkurrent real dhe se lidershipi i tij është provuar në kohë të vështira.

Duke e përshkruar veten si një nga mbështetëset e para të Berishës që prej "takimit të Rogner-it", anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së theksoi se besimi i saj tek vizioni i liderit historik nuk është lëkundur. Sipas saj, demokratët e kanë zgjedhur Berishën edhe në momentet kur partia ishte pa vulë, pa logo dhe pa seli, ku 500,000 anëtarë i dhanë besimin e tyre.

Në fjalën e saj, ajo hodhi akuza të rënda ndaj maxhorancës qeverisëse, duke pretenduar se Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet mekanizmave të tij dhe George Soros-it, ka përdorur "investime pafund" për të minuar dhe shkatërruar opozitën.

Ajo e përshkroi opozitën si një "pasuri kombëtare" dhe institucionin më të rëndësishëm, i cili u mor "peng" në një periudhë kur, sipas saj, "vendimet merreshin në zyrën e Edi Ramës".

Një aspekt tjetër i theksuar nga Kuçana ishte aftësia e Berishës për të qëndruar mbi interesat personale dhe mllefet. Ajo përmendi se ai ka mbajtur dyert e hapura edhe për ata që dikur e kundërshtuan, madje edhe krijuan parti të tjera, duke i integruar sërish në nivele të larta drejtuese.

“Një lider nuk duhet të udhëhiqet nga mllefi apo inati, por nga një vizion i gjerë”, u shpreh Kuçana.

Lidhur me çështjen e shpalljes "non-grata", ajo pohoi se vetë Berisha e ka konsideruar atë si një çështje personale, jashtë Partisë Demokratike.

Ndërkaq, Kuçana parashikoi se së shpejti "të gjitha banaqet televizive që kanë hedhur baltë" mbi partinë dhe liderin e saj do të përballen me të kundërtën e asaj që kanë thënë dhe se "demokratët e sakrificës" do të meritojnë një falje publike.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANËTAREN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD ILIRJANA KUÇANA