"Shqipëria rrëshqet me 11 pikë në raportin e korrupsionit"/ Himçi: Qeveria ka futur vendin në kaos institucional dhe ligjor
Në një lidhje direkte për Ora News, deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, komentoi raportin e fundit të “Transparency International”, ku Shqipëria ka pësuar një rënie me 11 pikë në perceptimin e korrupsionit.
Sipas Himçit, raporti pasqyron një situatë problematike që lidhet jo vetëm me korrupsionin, por edhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe reformës në drejtësi.
“Transparency International e uli me 11 pikë pozicionin e Shqipërisë në perceptimin e korrupsionit. Ka edhe organizma të tjerë ndërkombëtarë që flasin për situatë kaotike të qeverisjes dhe problematika serioze në sistem.”-tha ai.
Deputeti demokrat foli edhe për stokun e dosjeve në gjykata dhe numrin e lartë të akteve ligjore të nxjerra nga qeveria gjatë muajve të fundit.
Sipas tij, kjo ka krijuar paqartësi dhe mbingarkesë në administrim.
Ai solli në vëmendje shifrat për aktet ligjore, duke argumentuar se ka pasur një rritje të fortë të tyre në emër të integrimit europian dhe përafrimit të legjislacionit.
“Vetëm në 16 muaj kemi një rritje me 170% të akteve ligjore. Janë 222 akte në total, ku vetëm 23 janë ligje dhe 199 janë akte nënligjore. Ka një inflacion shumë të madh të tyre.”-u shpreh Himçi.
Debati mbi raportin e korrupsionit vjen në një moment kur procesi i integrimit europian dhe reforma në drejtësi mbeten në qendër të përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

