Berisha: Rama mashtroi hapur me prokurimet. Mafia qeveritare nuk lejon asnjë kompani të BE të fitojë qoftë dhe një tender
Nga foltorja e selisë blu, kryedemokrati Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama mashtroi hapur, teksa tha se integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që kur ne ishim në pushtet!
Berisha tha se Qeveria shqiptare mori çmim të dytë në botë nga OKB për transparencë në prokurime.
Nga ana tjetër, Berisha u shpreh se mafia qeveritare nuk lejon asnjë kompani europiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri dhe kjo, tha ai, është shkelje e rëndë e MSA-së
Lidhur me përjashtimin e kompanive të BE nga tenderat, Berisha u shpreh se heshtja është e papranueshme për këtë akt të rëndë!
PJESË NGA FJALA E BERISHËS
Njeriu që në çdo fjali nxjerr një gënjeshtër është bërë barsoletë e vërtetë në Shqipëri, në Evropë dhe më gjerë.
Edi Rama doli dje me shifra dhe statistika para, rrahu gjoksin për prokurimet transparente me pretendimin se ato kanë shënuar përmirësime spektakolare duke qenë i paaftë të lexojë shifrat, t’i interpretojë grafiqet, tabelat e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që faktojnë absolutisht të kundërtën.
Shqipëria, siç dihet, është vendi i parë në botë që aplikoi sistemin dixhital të prokurimeve, për çka në vitin 2010, OKB i akordoi Shqipërisë, pasi BB certifikoi këtë sistem, i akordoi çmimin e dytë në botë për transparencën në shërbimin civil.
Ky sistem në vitin 2010-2011-2012, pra integriteti i prokurimeve publike ishte 80 përqind. Vlerësohej me 80 përqind.
Integriteti i prokurimeve publike pas kësaj periudhe ka rënë në një mesatare 70 përqind. Ka rënë me 10 pikë dhe jo vetëm kaq, por në vitin 2026, kjo rënie është në 66 pikë, është një rënie prej 14 pikësh.
Një rënie dramatike. Shkaqet do i shohim më poshtë.
Pra, e kuptoni. Sistemi i vendosur në vitin 2010, që në vitet e para kishte treguesin e integritetit 80 përqind, dhe në vend se të njihte përmirësime, sepse sigurisht teknologjia e vitit 2026 është më e avancuar dhe lejon mundësi më të madhe, jo vetëm që nuk njohu përmirësim, por njohur përkeqësim progresiv.
Së dyti, janë këto të gjitha nga Open Tender EU, organizatë kjo e besueshme e BE. Po kriteri i transparencës?
Kriteri i transparencës është shumë i ulët. Vlerësohet gjithsej 54.5 pikë, ndërkohë që sistemi elektronik është përdorur nga viti 2010. Pra, tregon që këta ia mbyllin sytë sistemit elektronik. Këta e zhurmojnë sistemin elektronik.
Treguesi i transparencës ka një rënie katastrofale. Por ka edhe një tregues tjetër. Treguesi i mafies. Mbajeni shënim.
Ky tregues, thotë, se mafia qeveritare shqiptare, në ligjin e mafies dhe jo në ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk lejon asnjë kompani evropiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri.
Narkoqeveria Rama, është rasti i vetëm, kur në listën e kontraktorëve me tendera me vlerë të konsiderueshme, nuk ka asnjë fitues kompani nga vendet e BE apo kompani prestigjioze. E ndaluar!
Kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Injorimi i këtij fakti është një akt i rëndë që dëmton shumë, për aq sa mund të dëmtojë Shqipëria tregun.
Në MSA, Shqipëria është e detyruar të trajtojë si të barabartë investitorët, kompanitë që paraqiten në garat brenda vendit.
Më duhet të them, dhe shpreh keqardhje të madhe, se për këtë akt të rëndë, ka një heshtje.
Dhe kjo heshtje është e papranueshme. Pse kjo heshtje është e papranueshme? Sepse kjo Shqipëri ka një eksperiencë. Cila është kjo eksperiencë?
Nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha akset kombëtare rrugore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose amerikane më të njohura.
Kanë fituar tenderat, edhe ndërkombëtarë ka prej tyre, absolutisht jo duke diskriminuar kurrë kompanitë shqiptare, por duke qenë i drejtë.
Në emër të interesit të taksapaguesve shqiptarë është zgjedhur gjithnjë oferta më e leverdishme.
Rruga Hani i Hotit- Shkodër është ndërtuar nga kompani italiane e mirënjohur.
Bechtel Enka ndërtoi Rrugën e Kombit.
Rruga Lushnje- Fier është ndërtuar nga kompani italiane e njohur.
Rruga Levan- Vlorë nga dy kompani të njohura.
Autostrada Tiranë- Elbasan nga një prej kompanive më të mëdha të Greqisë, Aktor.
Rruga Levan-Tepelenë-Memaliaj nga Todini, një nga kompanitë më serioze italiane.
Rrugët e ndërtuara nga këto kompani sot pas 15 vitesh qëndrojnë pa asnjë problem.
Ndërsa të gjitha rrugët e ndërtuara nga klientela Rama-Balluku janë shembur, po shemben sikur të ishin ndërtime kashte.
Por nga ana tjetër, pra, ky është një shkelmim i interesave të taksapaguesve shqiptarë.
Unë e kam denoncuar me dhjetëra herë, ju jeni dëshmitarë këtu.
Si i përjashtonin?
Ua them unë. Aplikoni në e-Albania. U kërkohej kompanive evropiane dhe të tjerave të aplikonin në e-Albania.
Aplikimi në e-Albania kishte një kohëzgjatje 38 ditë, në një kohë kur tenderat grabiteshin në një kohë 34 ditë.
E kuptoni ju se si Republika e Shqipërisë që ishte frontrunner në procesin e integrimit, përjashtonte të gjitha kompanitë e vendeve anëtare të BE me një diskriminim kriminal dhe me pasoja shumë të rënda për qytetarët shqiptarë.
Sepse ja ku janë punimet e kompanisë së klientelës. Flet vetë. E kishte tmerr, nuk e paraqiti dje. Është statistikë evropiane kjo.

