Bozdo: Qeveria fsheh procesin e integrimit, nuk keni ardhur kurrë të raportoni

Opozita ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për mungesë transparence në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se institucionet kyçe si komisionet parlamentare mbahen në errësirë të plotë lidhur me ecurinë e negociatave.

Sipas deputetit demokrat Eno Bozdo, ndonëse ajo ka qenë gjithmonë mbështetëse e këtij procesi, një qasje më bashkëpunuese nga mazhoranca do të ishte thelbësore.

Në diskutimet në Komisionin për Punët e Jashtme ligjvënësi demokrat propozoi që, si një hap minimal, komisionet parlamentare duhet të vihen në dijeni të vazhdueshme mbi aktivitetin e ekipit negociator. U theksua se një kërkesë për të pasur listën e ligjeve prioritare për integrimin, sipas vetë qeverisë, ka mbetur pa përgjigje.

Kritikat u bënë më specifike kur u përmend Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Sipas deputetit opozitar, ky komision mbulon rreth 10 ose 11 kapituj të negociatave, por përfaqësuesit e qeverisë nuk kanë ardhur asnjëherë për të raportuar apo për të dhënë informacion mbi ecurinë e tyre.

“Ju s’keni ardhur ndonjëherë as të flisni, as të raportoni, as të jepni informacione, minimalisht për çfarë po ndodh me secilin nga kapitujt,” deklaroi ai.

Në fjalën e tij, u kërkua që të paktën të prezantohej një “gap analysis”, një analizë e detajuar e diferencave mes legjislacionit shqiptar dhe atij evropian, gjë e cila do të hidhte dritë mbi sfidat dhe hapat e nevojshëm. Mungesa e këtij informacioni bazë, sipas opozitës, e bën të pamundur diskutimin për pozicionet negociuese të Shqipërisë.

Në përgjigje, pala tjetër shprehu gatishmërinë për të dëgjuar dhe për të pritur opozitën në të ardhmen, duke lënë të kuptohet se shpreson që procesi të hyjë në rrugën e duhur të komunikimit.

“Shumë e drejtë kërkesa për opozitën, për të qenë mbështetëse. Besoj ka qenë gjithmonë mbështetëse, s'ka dyshim për këtë, por një mënyrë e mirë për të qenë edhe më mbështetëse do të jetë që minimalisht komisionet parlamentare të jenë në dijeni të aktivitetit tuaj, duke filluar që nga lista e ligjeve të cilët janë sipas qeverisë prioritet për integrimin, e kemi kërkuar, nuk e gjejmë dot. Pa folur pastaj për faktin që, për shembull, në komisionin ku unë bëj pjesë, Ekonomi Financë, mund të jenë diçka te 10 apo 11 kapituj që mbulohen nga veprimtaria e këtij komisioni, ndoshta dhe më shumë se kaq. Ju s'keni ardhur ndonjëherë as të flisni, as të raportoni, as të jepni informacione, minimalisht për çfarë po ndodh me secilin nga kapitujt, minimalisht për të na prezantuar një gap analysis, pra analizën e diferencave, të hendeqeve, dhe jo më pastaj për të folur për pozicione negociuese. Besoj do të ishte mirë që ta fillonit nga kjo gjë”, u shpreh deputeti i PD-së, Eno Bozdo.