"AKSHI çështje jo vetëm korrupsioni, por edhe e krimit të organizuar" - Tabaku: Duhen 14 vite për të marrë drejtësi, qeveria me ligje kundër BE-së. 

Një tablo alarmante e ecurisë së reformave në vend është paraqitur gjatë një mbledhjeje në komisionin parlamentar, ku raporti i qeverisë u vu nën kritika të ashpra për mangësi thelbësore dhe shifra tronditëse.

Sipas të dhënave të prezantuara nga deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku në Komisionin parlamentar për Punët e Jashtme, një qytetari shqiptar i duhen mesatarisht 14.5 vite për të marrë drejtësi në një çështje administrative të shkallës së dytë, një tregues që ka mbetur i pandryshuar ndër vite.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku e cilësoi raportin qeveritar si "një listë ligjesh më të gjatë se vetë raporti", duke theksuar se mbi 45 faqe nuk ofrojnë asnjë analizë mbi cilësinë apo nevojën e reformave. Ajo theksoi se Parlamenti nuk duhet të shihet si një "fabrikë ligjesh", por si një institucion që garanton cilësinë e tyre. U vu në dukje se nga rekomandimet e raportit të Grekos, vetëm pesë janë zbatuar plotësisht, ndërsa gjashtë të tjera nuk kanë nisur ende të adresohen.

Një tjetër pikë kritike ishte prokurimi publik, një sektor që sipas raportit të fundit të SIGMA-s, mbetet ndër më problematikët në vend. U theksua se Shqipëria ka rënë me 11 vende në indeksin e Transparency International për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa kapitulli i prokurimeve publike mbetet i vlerësuar si "mesatarisht i përgatitur" që prej vitit 2018, pa asnjë përmirësim.

Të dhënat tregojnë se 14% e procedurave të prokurimit kryhen me vetëm një ofertues, ndërsa mbi 60% e vlerës totale të tenderave shkon për vetëm 12 kompani.

Tabaku kritikoi ashpër ligjin e përditësuar të prokurimeve, i cili vazhdon të ketë përjashtime, veçanërisht për tenderat në teknologjinë e informacionit që lidhen me AKSHI-n.

Ky institucion u përmend nga Tabaku si i lidhur me çështje korruptive dhe të krimit të organizuar, duke u cilësuar si i akuzuar për grup të strukturuar kriminal.

Në fushën e drejtësisë, u ngrit shqetësimi për një propozim për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i cili do të parandalonte pezullimin nga detyra të kryeministrit dhe ministrave gjatë hetimeve penale. Ky ndryshim, sipas kritikes, bie ndesh me angazhimet e marra në kuadër të reformës së SPAK dhe kapitullit 23 të negociatave me BE-në.

Në përfundim, ligjvënësja demokrate denoncoi faktin se Parlamenti ka miratuar të paktën 10 ligje që bien ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, duke cituar si shembull ligjin për portet. Tabaku theksoi se qeveria nuk po bën më përafrim të legjislacionit, duke anashkaluar detyrimin për të sjellë për shqyrtim në komision ligje me ndikim strategjik për të verifikuar përputhshmërinë e tyre me acquis të BE-së.

PJESË NGA FJALA E TABAKUT NË KOMISION

Zonja ministre, unë e lexova raportin siç e kanë lexuar edhe kolegë të tjerë. Të them të drejtën, me pak përjashtime, mund të jem nga personat që nga viti 2009 kam lexuar raporte qeverie, dhe ky është i vetmi ku më e gjatë është lista e ligjeve se vetë raporti.

Mbi 45 faqe të raportit është vetëm një listë ligjesh që me thënë të drejtën nuk na jep ne një sens edhe të reformave të nevojshme, por edhe për cilësinë që sjellin këto. Parlamenti nuk është një fabrikë ligjesh. Parlamenti ka detyrë sigurisht që t'i miratojë këto ligje, por kujdeset edhe për cilësinë e reformave që disa kolegë këtu e përmendën.

Unë dua të ngre tre shqetësime në fakt edhe dy pyetje në lidhje edhe me atë që ju prezantuat për dy tema, një e para është prokurimi publik dhe e dyta lidhet dhe me një pjesë të të drejtave të të njeriut.

Ju përmendët në fakt një listë të gjatë të angazhimesh dhe detyrash të kryera për sa i përket reformës në drejtësi dhe për sa i përket detyrimeve që qeveria ka kryer edhe për gjyqësorin dhe për prokurorinë.

Në fakt, harruat ose anashkaluat që të thonit që vetëm pesë rekomandime janë në raportin e Grekos të plotësuara plotësisht. Të gjithë të tjerat janë pjesërisht të plotësuara dhe unë e kam këtu raportin, kam dhe rekomandimet e hapura, gjashtë prej të cilave nuk janë plotësuar fare.

Janë akoma qeveria nuk ka filluar punën për t'i plotësuar këto. Unë nuk di se ku e gjetët referencën për sa i përket çështjeve gjyqësor, për sa i përket të dhënave për track record të çështjeve gjyqësore, sepse ashtu siç dhe ju në raport thoni me fusnotë, të dhënat e 2025-ës nuk janë akoma të plota, nuk e di në qoftë se ka të dhëna të tjera të plota për të cilat ju i referoheni, por të paktën ato që na keni prezantuar këtu dhe informacioni që na keni dhënë këtu, nuk është, nuk është i plotë dhe nuk është i përditësuar.

Thënë kjo, disa nga elementët që unë mendoj që kanë rëndësi dhe që përmenden dhe në raportin e progresit për Shqipërinë janë, së pari, kohëzgjatja e çështjeve administrative të shkallës së dytë në Shqipëri është 5326 ditë ose të paktën 14.5 vite për të marrë drejtësi. Ky është një tregues që qeveria shqiptare në vite nuk e ul dhe nuk e redukton.

Së dyti, ju përmendët që si një nga arritjet, ngritjen e sistemit digjital për sa i përket menaxhimit të çështjeve gjyqësore. Kjo është vetëm një kontratë e firmosur. Sepse ashtu siç thotë dhe raporti juaj në radhë të parë, por dhe i Komisionit Europian, kjo hyn në fuqi në vitin 2030. Dhe është pikërisht ajo që po diskutojmë këtu me kolegët e faktit se sa larg është letra nga ligji, nga, nga praktika. Një element shumë i rëndësishëm që ju përmendët, lidhet me që lidhet me reformën në drejtësi, është njëkohësisht edhe pavarësia e SPAK-ut. Ju referuat disa herë SPAK-ut si një institucion që ka realizuar, që ka pasur arritje.

Qeveria ka propozuar ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për të parandaluar pezullimin nga detyrat të kryeministrit dhe ministrave gjatë hetimeve penale. Si pajtohet kjo me benchmarkun numër tre, që qeveria është e angazhuar në kapitullin 23 si pjesë edhe e reformës së SPAK-ut?

Nga ana tjetër, raporti jep edhe numrat e hetimeve, i përmendët edhe ju, të akuzave, por nuk ka asnjë shifër finale dhe në fakt, hetimi në shkallë, në nivel të lartë ka një rënie nga viti i shkuar, vetëm në gjashtë raste, ashtu siç përmendet dhe në raportin tuaj. Ka një problematikë për sa i përket luftës së korrupsionit dhe kjo lidhet me çështjen e dytë që unë dua të përmend, që janë prokurimet publike.

Është fakt, në fakt, që Shqipëria ka rënë me 11 vende në raportin e Transparency International për luftën ndaj korrupsionit dhe unë ndoqa dje me interes edhe deklaratat e fundit për sa i përket situatës në prokurimet publike, që duket sikur qeveria më në fund do ta marrë seriozisht, megjithëse kam dyshimet e mia për këtë. Por ju jeni koshientë që nga viti 2018, kapitulli i prokurimeve publike, megjithëse keni sjellë një ligj të përditësuar, është mesatarisht i përgatitur.

Që nga viti 2018 Shqipëria nuk ka asnjë përmirësim. Edhe sipas rekomandimeve që jepen këtu, por njëkohësisht edhe për faktin që, megjithëse u miratua një ligj i përditësuar për prokurimet publike, ai përsëri ka përjashtime.

 Dhe Komisioni Europian dhe në raportin e tij, në raste të përsëritura, i ka tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare për përjashtimet nga ligji i prokurimeve publike dhe ju e dini shumë mirë që përjashtimi këtu është për tenderat tek teknologjisë së informacionit dhe për AKSHI-n. Që është një çështje edhe korruptive, por është një çështje edhe e krimit të organizuar. Është e vetmja, besoj, institucion, nuk di as në vendet e rajonit, askund tjetër që një institucion shqiptar, në këtë rast ka një akuzë si grup i strukturuar kriminal.

I dëgjova shifrat e juaja dje, por të dhënat flasin ndryshe. Në Shqipëri dhe në krahasim me të gjithë vendet e rajonit, ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm. Dhe me gjithë përmirësimet e ligjit, kjo, ky raport nuk ka ndryshuar. Ka të paktën 15% procedura pa negocim, ndjesë, pa publikim, procedura negociuese të cilat nuk publikohen dhe mbi 60% e vlerës të të gjithë tenderave shkon tek 12 kompani, që unë i kam të listuara këtu, po edhe për hir të kohës nuk po nuk po i përmend.

Ndërkohë që për t'u krahasuar me vendet e rajonit dhe unë kam një krahasim këtu edhe me vendet e rajonit, Serbia ka 97.5% të procedurave me garë të hapur. Dhe unë më vjen shumë keq që krahasohem me Serbinë, po meqenëse standarsi i krahasimit të qeverisë është me Serbinë, po e përdor këtë si referencë.

Raporti i fundit i Sigmës për sa i përket prokurimeve publike e përmend si sektorin me problematika më të mëdha. Dhe unë nuk dëgjova në asnjë fjalë tuajën që ju të flisni për një reformë të plotë. Të përparosh një ligj nuk është njësoj si një reformë e plotë. Ka disa ligje që i ka miratuar Parlamenti shqiptar, të cilat shkojnë në fakt kundër frymës dhe gërmës së legjislacionit të Bashkimit Evropian.

Kam një komunikim këtu me Komisionin Europian që më ka kthyer përgjigje për shqetësimet që unë kam ngritur për të paktën 10 ligje, të cilët janë edhe në shkelje të MSA-së, por njëkohësisht dhe në shkelje të detyrimeve që ju vetë si qeveri keni marrë. Po këtu dua të përmend vetëm ligjin e porteve në fakt, dhe në mënyrë të veçantë thotë që ngre shqetësim për faktin që qeveria shqiptare nuk bën më përafrim legjislacioni.

Në këtë komision të nderuar që drejtohet edhe nga mazhoranca tashmë, ju duhet ta kishit sjellë ligjin për përjashtimin e koncesionit të porteve për investitorët strategjikë. Duhet të vinte çdo ligj këtu, edhe ai i agjencisë së AKSHI-t, për të parë a ka përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian apo jo. Nuk mundet të lejojmë në këtë moment këto procedura që përmenden këtu. Këtu ngre njëkohësisht shqetësim, e përmendi dhe zoti Kapri, edhe për ligjin e investimeve strategjike...