Skandali AKSHI dhe afera 118 mln euroshe, Klevis Balliu: Ja çfarë po fsheh qeveria në raport

Debate të ashpra kanë shoqëruar diskutimin në komisionin parlamentar për Punët e Jashtme për një raport qeveritar, i cili është akuzuar se shërben më shumë për interesat e qeverisë sesa të vendit.

Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat Klevis Balliu ngriti akuza të rënda, duke theksuar se dokumenti strategjik fsheh qëllimisht skandale me jehonë publike, si ai i AKSHI-t, si dhe projekte të dyshimta me vlerë miliona euro që prekin privatësinë e qytetarëve.

Sipas deputetit Balliu, raporti i paraqitur vuan nga mungesa të theksuara të transparencës, veçanërisht sa i përket çështjeve etike që janë diskutuar gjerësisht në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pika më kritike e fjalës së tij ishte mungesa totale e skandalit të AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) në raport. Ai theksoi se dyshimet për korrupsion, manipulim të të dhënave dhe ndërthurje me krimin e organizuar, të lidhura me këtë institucion, janë injoruar plotësisht.

Një tjetër moment i theksuar ishte ai që lidhet me veprimet e Kryeministrit Edi Rama. Deputeti Balliu denoncoi se vetëm një ditë pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, kryeministri doli publikisht në mbrojtje të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke përdorur edhe flamurin e BE-së. Ky veprim u cilësua si “një akt shumë i rëndë”, që synon të krijojë përshtypjen e rremë se Bashkimi Evropian mbështet një institucion të cilin opozita e konsideron të inkriminuar dhe të kriminalizuar.

Në vijim të akuzave, u përmend edhe projekti “Smart City Albania”, i cili, sipas deputetit, nuk reflektohet aspak në raport. Ky projekt, që parashikon një mbikëqyrje masive të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, ka një vlerë prej 118 milionë eurosh, ndërkohë që fillimisht ishte parashikuar të kushtonte vetëm 60 milionë euro. Mungesa e këtij projekti në dokumentacionin zyrtar shton dyshimet për mungesë transparence dhe llogaridhënieje.

PJESE NGA FJALA E BALLIUT

Meqenëse s'jemi dhe anëtarë të komisionit, mendoj që është  një proces shumë i rëndësishëm dhe normalisht do të donte edhe kohën e vet për të shkuar në sa më shumë detaje.

Unë për efekt edhe të kolegëve të tjerë që do duan të diskutojnë, do mundohem të flas sa më shkurt, në lidhje me këtë raport, të vitit 2025, qw ju e paraqisni më shumë si një raport për interesat e qeverisë se sa për interesat e Shqipërisë, sepse në raport ka mungesa të theksuara për çështje tejet të rëndësishme etike, që janë diskutuar jo vetëm në arenën kombëtare, por dhe në arenën ndërkombëtare dhe janë bërë problem në disa raste për diskutime të ndryshme, qoftë nga përfaqësitë ndërkombëtare në Shqipëri, po edhe më gjerë.

Është shqetësues fakti që për skandalin e AKSHI-t dhe dyshimet për korrupsion, manipulimin dhe ndërthurjen e këtij aktiviteti me krimin e organizuar, nuk ka absolutisht asgjë në raport.

Aq më tepër për një fakt tjetër që një ditë pas takimit, meqenëse u përmendën dhe ambasadorët këtu, pas takimit me shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, Edi Rama doli përsëri të nesërmen duke përdorur dhe flamurin e Bashkimit Europian për të mbrojtur, Merlinda Karçanajn dhe të gjithë institucionin e AKSHI-t, i cili gjerësisht po shikohet sot si një institucion i inkriminuar dhe i kriminalizuar.

Përdorimi i flamurit të Bashkimit Europian mbas një dite që ka takuar edhe vetë ambasadorin e Bashkimit Europian, për të mbrojtur afera korruptive është një akt shumë i rëndë, si për të thënë që dhe Bashkimi Europian qenka në mbështetje të këtij institucioni, çka jam i sigurt që s'është absolutisht e vërtetë.

Së dyti, ëh, ka projekte si Smart City Albania që prek mbikëqyrjen masive të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, i cili nuk reflektohet në këtë projekt, pavarësisht se është një projekt prej rreth 118 milionë eurosh që fillimisht filloi me vetëm 60 milionë euro.