Përplasjet e tifozëve në Elbasan/ Çelmeta analizon ku 'çaloi' organizimi i ndeshjes vendimtare për mbijetesë
I ftuar në emisionin “Ora Sport” ishte Roland Çelmeta, ku u diskutuan ngjarjet e fundit në Elbasan dhe përplasjet mes tifozëve gjatë ndeshjes Elbasani–Tirana.
Ndeshja, ku Tirana kërkonte mbijetesën dhe Elbasani kishte një bonus financiar në lojë, u shoqërua me tensione që u përshkallëzuan në përplasje brenda dhe jashtë stadiumit. Ngjarja ka rikthyer diskutimet për sigurinë dhe organizimin e ndeshjeve në futbollin shqiptar.
Në studio u ngritën dyshime për mënyrën si u menaxhua situata nga forcat e sigurisë dhe organizatorët e ndeshjes, sidomos për lëvizjen e tifozëve para fillimit të takimit.
“Situata nuk është e pranueshme, sidomos kur ndeshja kishte kaq shumë presion për të dy ekipet dhe duhej kontroll më i mirë.”-tha ai.
Debati u shtri edhe te mënyra si trajtohen rastet e dhunës në futboll, duke u ngritur pyetje për mungesën e masave ndëshkuese ndaj klubeve në raste të përsëritura.
“Kur nuk ka pasoja reale për incidentet, situata rrezikon të përsëritet dhe të bëhet pjesë e zakonshme e kampionatit.”-shtoi Çelmeta.
Në përfundim të diskutimit, u theksua se ngjarje të tilla nuk janë të izoluara dhe kërkojnë një qasje më të fortë në menaxhimin e sigurisë dhe disiplinës në futboll.

