VIDEO - KAOS NË DERBIN ÇEK! Qindra tifozë pushtojnë fushën duke ndërprerë derbin e Pragës! Slavia paralajmëron përjashtime të përjetshme

Derbi mes Slavia Pragë dhe Sparta Pragë është shndërruar në kaos pasi qindra tifozë pushtuan fushën në minutat e fundit të ndeshjes. Klubi i Slavias ka kërkuar falje publike dhe ka paralajmëruar përjashtime të përjetshme për tifozët e përfshirë në incidente. Federata çeke e futbollit e ka cilësuar ngjarjen absolutisht të papranueshme dhe ka nisur hetimet disiplinore.

Kaos dhe dhunë në derbin e Pragës mes Slavia Pragë dhe Sparta Pragë, në një ndeshje që mund t’i siguronte titullin skuadrës vendase.

Slavia kryesonte 3 me 2 në minutat shtesë të takimit, kur qindra tifozë vendas pushtuan fushën e stadiumit “Fortuna Arena”, duke detyruar ndërprerjen e ndeshjes.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë lojtarët e të dy skuadrave teksa largohen me vrap nga fusha, ndërsa tifozët me flakadanë dhe mjete piroteknike sulmonin sektorin e tifozëve kundërshtarë.

Portieri i Sparta Pragë, dyshohet se është goditur në fytyrë nga një flakadan.

Presidenti i Slavia Pragë, kërkoi falje publike ndaj klubit rival, tifozëve dhe opinionit sportiv për incidentin. Ai e cilësoi ngjarjen si momentin më të rëndë në historinë moderne të klubit dhe paralajmëroi masa të ashpra ndaj autorëve.

Autoritetet njoftuan mbylljen e menjëhershme të tribunës veriore të stadiumit deri në identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në dhunë.

Klubi deklaroi gjithashtu se do t’u dorëzojë autoriteteve të gjitha pamjet filmike dhe të dhënat e tifozëve për identifikimin e përgjegjësve.

Tifozët e identifikuar do të përjashtohen përjetësisht nga stadiumi “Fortuna Arena”, ndërsa klubi do të kërkojë edhe kompensim për dëmet dhe penalitetet e mundshme nga autoritetet sportive.