Përplasja e tifozëve në Elbasan/ Myrta: Ndeshja me peshë të madhe për të dyja ekipet, pritej tensioni
I ftuar në emisionin “Ora Sport” ishte Ermal Myrta, ku u diskutua incidenti i fundit në Elbasan mes tifozëve, që u shoqërua me përplasje jashtë stadiumit.
Pamjet e sherrit u analizuan në studio, duke u theksuar se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të stadiumit dhe kjo e bën të vështirë marrjen e masave direkte ndaj klubeve.
Debati u përqendrua te pyetja nëse incidenti mund të ishte shmangur.
U vu në dukje se ndeshja kishte rëndësi të madhe për të dy ekipet, me objektiva të ndryshëm, për Elbasanin, një shpërblim i rëndësishëm financiar, ndërsa për Tiranën lufta për mbijetesë.
“Ndeshja kishte peshë të madhe për të dy ekipet. Tensioni ishte i pritshëm duke parë situatën në tabelë.”-tha Myrta.
Më tej, u diskutua edhe për faktin se incidente të ngjashme ndodhin shpesh në fund të kampionateve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera evropiane, ku presioni i rezultateve rritet ndjeshëm.
“Në fund të sezonit këto situata shfaqen shpesh, jo vetëm këtu, por edhe në kampionate të tjera në Europë.”-shtoi ai.
Në studio u theksua se ngjarja duhet parë në kontekst më të gjerë të futbollit dhe tensioneve që krijohen në ndeshjet vendimtare të sezonit.
