Skandal në Europian/ Peshëngritësi Qerimaj: Më mohuan medaljen pas vendimit të jurisë
E ftuar në emisionin “Ora Sport” ishte peshëngritësi i njohur shqiptar Erkand Qerimaj, i cili foli për pjesëmarrjen e tij në Kampionatin Europian dhe për një garë që sipas tij nuk u mbyll në mënyrë të drejtë.
Ai u ndal fillimisht te forma e tij para aktivitetit, duke kujtuar se kishte ardhur në Europian pas një performance të fortë në kampionatin kombëtar, ku kishte thyer disa rekorde.
Gjatë garës, Qerimaj tregoi se kishte realizuar me sukses ngritjen 152 kilogramë dhe kishte tentuar më pas një rekord europian me 157 kilogramë, që nuk u realizua për pak.
Situata më e debatueshme, sipas tij, ndodhi në stilin e shtytjes, ku arriti 184 kilogramë. Fillimisht, prova u vlerësua e rregullt nga gjyqtarët, çka e vendoste në pozicion për medalje. Më pas, vendimi u ndryshua nga juria, duke anuluar ngritjen.
“Me atë ngritje isha në zonën e medaljes. Vendimi i parë ishte i rregullt, por më pas u ndryshua nga juria.”-tha ai.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për organizimin e skuadrës shqiptare gjatë garës, duke thënë se në fazën e përgatitjes janë vënë re ndërhyrje në rol drejtues, që sipas tij nuk janë standarde në garat ndërkombëtare.
“Në garat e tjera stafi është i qartë dhe i ndarë. Këtu u krijua një situatë që nuk është normale për nivelin europian.”-shtoi peshëngritësi.
Në fund, Qerimaj e cilësoi ngjarjen si një rast që duhet të marrë vëmendje, duke lënë të hapur diskutimin mbi mënyrën e menaxhimit dhe vendimmarrjes në atë kompeticion.

