(PAMJE) SHERR BRENDA DHE JASHTË STADIUMIT/ Ndeshja Elbasan-Tiranë del jashtë kontrollit, tifozët vërshojnë në fushë
Tensione dhe përplasje janë regjistruar para ndeshjes mes KF Elbasani dhe KF Tirana në stadiumin Elbasan Arena.
Pak para nisjes së sfidës së orës 16:00, situata është tensionuar si jashtë ashtu edhe brenda stadiumit.
Një grup tifozësh bardheblu kanë hyrë në fushën e lojës, duke krijuar kaos dhe ndërprerje të përkohshme të organizimit të ndeshjes.
Nga altoparlantët e stadiumit janë bërë thirrje të vazhdueshme për qetësi, ndërsa është paralajmëruar edhe ndërhyrje me masa sigurie nëse situata do të agravonte më tej.
Policia ka ndërhyrë menjëherë për të ndarë tifozët dhe për të shmangur përplasjet e mëtejshme.
Sipas raportimeve nga stadiumi, tensioni ka qenë i lartë edhe në ambientet jashtë “Elbasan Arena”, ku janë regjistruar debate dhe përplasje verbale mes tifozëve.
Ndeshja konsiderohet shumë e rëndësishme për të dy skuadrat. Elbasani kërkon pikët për garën e kreut, ndërsa Tirana lufton për mbijetesën në kampionat, çka ka shtuar edhe më shumë atmosferën e tensionuar para sfidës.

