SHKRIMTARË ME LIBRA, SHKRIMTARË PA VEPRA

Në debatin bashkëkohor mbi letërsinë, një nga ngatërresat më të shpeshta është barazimi i librit me veprën. Ky barazim, shpesh i nënkuptuar, zhvendos vëmendjen nga struktura e tekstit drejt aktit të botimit. Në këtë mënyrë, botimi funksionon si provë e ekzistencës estetike, ndërsa nocioni i veprës zbehet si kategori dalluese e vlerës.

Teoria letrare e ka trajtuar këtë dallim në mënyra të ndryshme. Për Roman Jakobson (1896–1982), një nga figurat qendrore të gjuhësisë strukturaliste, funksioni estetik i gjuhës garanton autonominë e tekstit si objekt formal. Ndërsa për Pierre Bourdieu (1930–2002), sociolog francez i kulturës, vepra kuptohet si produkt i një fushe sociale, ku vlera nuk është e brendshme, por prodhohet përmes seleksionimit, hierarkive dhe legjitimimit.

Në të dyja qasjet, vepra nuk përkon me librin si objekt i botuar, por me mënyrën si organizohet teksti dhe me vendin që ai zë në një sistem vlerash.

Nga ky këndvështrim, dallimi midis librit dhe veprës mund të përkufizohet si dallim midis regjimit të prodhimit dhe regjimit të vlerës.

Libri është një njësi që prodhohet dhe qarkullon; vepra është një strukturë që qëndron. Ajo nuk e justifikon veten përmes ekzistencës materiale, por përmes koherencës së brendshme dhe domosdoshmërisë formale. Kjo domosdoshmëri nuk është zbukurim, por kusht themelor: çdo element i tekstit fiton kuptim vetëm në raport me tërësinë.

Kjo bëhet e dukshme përmes disa treguesve: koherenca strukturore, dendësia semantike, ekonomia e formës dhe aftësia për të prodhuar kuptim përtej momentit të leximit. Një libër mund të qarkullojë dhe të ketë sukses të gjerë, por bëhet vepër vetëm kur arrin një organizim formal që i reziston kohës.

Tradita e romanit evropian e ilustron qartë këtë dallim.

Te Miguel de Servantes rrëfimi kthehet në reflektim mbi vetë rrëfimin. Te L. Tolstoi romani ndërtohet si tërësi organike ku historia dhe individi ndërthuren në një lëvizje të vazhdueshme midis përvojës individuale dhe kontekstit historik. Te Fjodor Dostojevski, ai shndërrohet në arenë konfliktesh idesh dhe ndërgjegjesh. Në të gjitha rastet, romani nuk është thjesht rrëfim, por organizim kompleks i përvojës njerëzore.

Kjo linjë thellohet te Honore de Balzak ku romani merr formën e një sistemi shoqëror totalizues, dhe te Gustav Flober ku forma arrin një disiplinë të skajshme estetike. Te Marsel Prust fokusi zhvendoset drejt kohës dhe kujtesës, ndërsa te Xhejms Xhois drejt eksperimentimit radikal me gjuhën dhe strukturën. Në të gjitha këto raste, romani nuk shteron në fabul, por prodhon mekanizma kuptimi që i mbijetojnë kohës.

Megjithatë, ky përkufizim i veprës në terma të koherencës dhe domosdoshmërisë formale, sado i qëndrueshëm në traditën klasike të romanit, nuk arrin të shterojë të gjitha format e prodhimit letrar modern. Pikërisht aty ku ky standardi duket më i konsoliduar, ai vihet në provë nga praktika që e problematizon vetë idenë e tërësisë. Në këto raste, nuk kemi thjesht dobësim të strukturës, por rishpërndarje të parimeve që e organizojnë tekstin.

Te Samuel Beket, reduktimi ekstrem i gjuhës dhe i rrëfimit nuk funksionon si mungesë organizimi, por si zhvendosje e vetë parimit organizues të veprës. Teksti nuk mbështetet më në koherencë narrative të vazhdueshme, por në tensionin midis shprehjes minimale dhe heshtjes, ku forma shfaqet si kufi i vetvetes. Kjo tregon se kriteri i koherencës, i marrë si universal, nuk mjafton për të përfshirë të gjitha mënyrat e realizimit estetik.

Edhe në letërsinë shqipe, ky dallim merr forma të ndryshme sipas mënyrës së organizimit të narrativës dhe raportit që teksti vendos me strukturën e vet.

Te Ismail Kadare romani ndërtohet shpesh si sistem shumëplanësh simbolik, ku rrëfimi organizohet në disa shtresa kuptimore që ndërveprojnë mes historisë, mitit dhe politikës. Koherenca këtu nuk është lineare, por e shpërndarë në një rrjet strukturash që funksionojnë paralelisht.

Ndërsa te Dritëro Agolli dominon një strukturë më lineare dhe më e drejtpërdrejtë narrative, ku zhvillimi i ngjarjes dhe karakterit ruan një vazhdimësi më të qëndrueshme dhe më afër modelit realist tradicional.

Në dallim prej Dritëroit dhe Kadaresë, te Koço Kosta rrëfimi shndërrohet në një formë të vetëdijshme destabilizimi të narrativës, ku prishja e linearitetit, tensionimi i gjuhës dhe shpërbërja e personazhit e zhvendosin tekstin nga modeli i romanit tradicional drejt një hapësire më provokative, ku forma nuk konfirmohet, por vihet në provë. Gjuha nuk është vetëm mjet përfaqësimi, por material i ekspozuar ndaj eksperimentimit stilistik dhe semantik, ku provokimi formal shoqërohet me një vetëdije të fortë mbi aktin e shkrimit.

Në letërsinë shqipe bashkëkohore, kufijtë mes “librit” dhe “veprës” bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Në disa raste, romani ndërtohet si reflektim mbi realitetin shoqëror dhe politik, duke ruajtur një strukturë narrative më të çlirët, si te disa romane të Ben Blushit ku ideja qendrore organizon rrëfimin dhe e kthen atë në formë më shumë argumentuese sesa thjesht estetike. Te Të lirë e Lea Ypit, kufiri midis krijimit dhe autobiografisë zhvendoset, duke prodhuar një narrativë reflektuese që fiton koherencë përmes strukturës së përvojës dhe mendimit. Ndërkohë, në romanin më eksperimental bashkëkohor vërehet prirja për fragmentim dhe montazh zërash, duke zhvendosur fokusin nga fabula te procesi i rrëfimit.

Për ta kuptuar këtë paqëndrueshmëri, teoria e Pierre Bourdieu ofron një kornizë më të gjerë. Letërsia nuk prodhohet në një hapësirë neutrale, por brenda një fushe kulturore ku vlera estetike është rezultat i marrëdhënieve të forcës, mekanizmave të legjitimimit dhe instancave të njohjes simbolike.

Në këtë kuptim, dallimi midis librit si produkt qarkullues dhe veprës si formë e konsoliduar estetike bëhet edhe çështje e strukturave të njohjes dhe jo vetëm e cilësive të tekstit. Në letërsinë shqipe, mungesa e një kritike të qëndrueshme e bën këtë dallim edhe më të paqartë.

Këtu lind edhe një pyetje që prek drejtpërdrejt mënyrën e prodhimit letrar bashkëkohor: si mund të shkruhet një roman në dy muaj? Një roman kërkon jo vetëm ide, por sedimentim të formës, rishkrim dhe distancë ndaj materialit të vet. Kur ai shkruhet nën presionin e kohës ose me synimin e drejtpërdrejtë për t’u paraqitur në panair, procesi zhvendoset nga ndërtimi i një vepre drejt prodhimit të një objekti qarkullues. Në këto kushte, shkrimi rrezikon të mos jetë më formë që konsolidohet, por produkt që përmbush një cikël tregtar të paracaktuar.

Libri dhe vepra nuk janë sinonime. Libri i përket qarkullimit; vepra i përket kohës. Letërsia nuk matet me numra, por me forma që i mbijetojnë kohës përmes vlerës që mbajnë.

Në këtë kontekst, mungesa e kritikës letrare bëhet një problem thelbësor. Pa një kritikë të specializuar, të aftë të dallojë dhe të vlerësojë, letërsia humbet mekanizmat e saj të brendshëm. Kritika nuk funksionon më si gjykim, por si përshkrim ose promovim. Kur kjo ndodh, botimi dhe ekspozimi zëvendësojnë vlerësimin, duke krijuar një realitet ku shtimi i librave nuk nënkupton domosdoshmërisht lindjen e veprave.

Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e kritikës, por edhe te mungesa e kurajos për të gjykuar. Kur kritika nuk arrin të evidentojë mangësitë reale të një teksti; dobësinë strukturore, mungesën e thellësisë apo nivelin e pamjaftueshëm estetik, ajo humbet funksionin e saj themelor. Në këtë rast, heshtja do të ishte më e ndershme sesa një ligjërim i mbushur me lavde të pamerituara. Sepse, duke i atribuar një libri vlera që nuk i ka, kritika nuk e ndihmon autorin, por e stabilizon në kufizimet e tij; njëkohësisht, ajo e keqorienton lexuesin. Kështu, kritika nuk funksionon më si filtër cilësor, por si mekanizëm inflacioni vlerash, ku gjithçka ngrihet artificialisht në nivelin e “veprës”, dhe pikërisht për këtë arsye, vetë nocioni i vlerës humbet kuptimin.

Gjithë sa u parashtrua më sipër nuk synon të japë përkufizime apo të vendosë kufij të prerë, por vetëm të sjellë në mënyrë modeste në vëmendje një çështje që, edhe pse qarkullon shpesh në formë të nënkuptuar në diskutimet tona, rrallë e trajtojmë hapur në hapësirën publike të debatit letrar.

Ky shkrim është publikuar në revistën letrare “Peizazhe të fjalës”.