“Aulona Inter Folk” kthen Vlorën në qendrën e folklorit botëror nga 22 deri në 25 maj
Nën ritmet e këngëve, valleve dhe kostumeve shumëngjyrëshe që bashkojnë kultura nga anë të ndryshme të globit, Vlora do të mirëpresë nga 22-25 maj edicionin e 18-të të Festivalit “Aulona Inter Folk”.
Festivali i kthyer tashmë traditë do të mbledhë rreth 330 artistë nga vende të ndryshme të Europës dhe botës, duke e kthyer Vlorën në një pikëtakim të folklorit.
Drejtori i përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli në një intervistë për ATSH-në tha se ky festival vjen pas një suksesi e performance të shkëlqyer që shënoi në edicionin e një viti më parë.
“Organizimi i përvitshëm i festivalit po tregon edhe një herë se ky aktivitet me karakter kulturor e turistik ka qenë një ide e duhur dhe e nevojshme jo vetëm për qytetin bregdetar të Vlorës, por edhe për hapësirën kulturore mbarë shqiptare”, shtoi ai.
“Nisur nga natyra dhe përmasat e festivalit, ai mbetet krejt i veçantë mbasi për të 18-tin vit radhazi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por edhe për trojet shqiptare, mbahet një aktivitet kaq i rëndësishëm i folklorit në nivel evropian dhe më gjerë”, tha Gjokoli.
Sipas tij, ky festival nuk është thjesht një aktivitet ndërkombëtar folklor, por një platformë e gjallë sa folklorike, po aq edhe artistike e turistike në shërbim jo vetëm të imazhit të Vlorës, por të të gjithë Shqipërisë.
“Aulona Inter Folk” merr përsipër të shkëmbejë e integrojë përmes këngëve e valleve kulturën tradicionale që vjen nga popuj e kombe të ndryshme.
“E veçanta e këtij edicioni është edhe pjesëmarrja për herë të parë e grupeve nga dy kontinente të rinj, siç janë Afrika dhe Amerika e Jugut, duke e zgjeruar edhe më shumë gjeografinë fizike dhe etnokulturore të festivalit”, tha Gjokoli.
Në edicionin e këtij viti do të jenë pjesëmarrës grupe dhe ansamble nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Greqia, Italia, Polonia, Gjeorgjia, Burundi e Kili.
“Konkretisht do të marrin pjesë: Ansambli folklorik “Albafolk”, Tiranë; Akademia “Star Dance”, Vlorë; Ermelinda Bixhaku këngëtare e muzikës popullore; Ansambli “Krahu i shqiponjës-Taip Madani”, Vlorë; grupi “Malli i Mërgimtarit”, Patra; Trupa Kulturore e Burundit e quajtur “Vumera”, që vjen nga kryeqyteti i vendit Bujumbura, kontinenti i Afrikës; ansambli folklorik “Avgerinos”, nga Janina, Greqi; ansambli folklorik “Marduk” nga Gjeorgjia; grupi folklorik “I Peddaroti” nga Italia dhe ansambli folklorik “Proarchi”, Santiago nga Kili; SHKA “Malësori”, Gjonaj nga Kosova; ansambli “Sloga”, Denovici nga Mali i Zi dhe ansambli folklorik “Magurzanie”, i cili funksionon pranë qendrës kulturore komunale në Lodygowice, Poloni”, tha Gjokoli.
Hapja e festivalit, si çdo vit, do të realizohet me paradën e kostumeve të grupeve pjesëmarrëse në sheshin historik të qytetit bregdetar.
“Parada e kostumeve përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” do të mbushë qytetin me ritme vallesh, por edhe me ngjyra kostumesh popullore, të cilat i shtojnë qytetit edhe më shumë bukurinë dhe magjinë që natyra i ka dhënë me shumë dashuri”, tha Gjokoli.
Ky festival startoi për herë të parë në qytetin e Vlorës në 9 maj 2009 dhe prej asaj dite këtë vit shënon edicionin e 18-të.
“Vetëm për efekt të këtij aktiviteti qytetin e Vlorës dhe rrethinat kanë pasur rastin t’i vizitojnë rreth 140 ansamble folklorike me mbi 4900 pjesëmarrës nga 39 vende të Ballkanit, Evropës, Azisë dhe Afrikës”, tha Gjokoli.
Për çdo edicion organizatorët ndajnë Kupën e festivalit, e cila deri tani ka shkuar në ansamble folklorike që kanë ardhur nga Kroacia, Sllovakia, Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Italia, Turqia, Polonia, Bjellorusia, Greqia, Lituania, Letonia, Moldavia, Ukraina, Rumania e Gjeorgjia.
Vitin e kaluar Komiteti Organizator nderoi me kupën e edicionit të 17-të të festivalit ansamblin “Kolkhida” të Gjeorgjisë.
Festivali zhvillohet me mbështetjen kryesore të bashkisë Vlorë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve si dhe donatorë të tjerë./ATSH

