FOTO/ Ura e Kamarës, monumenti mesjetar pranë Mirakës

Përgjatë rrugës nacionale Elbasan – Librazhd, shumë pranë fshatit Mirakë ndodhet një urë e vjetër, e cila vlerësohet si një objekt me vlera të rralla.

Për të parë më nga afër këtë urë, duhet të përshkosh rrugën e vjetër Egnatia, një rrugicë të ngushtë të fshatit e më pas ndodhet Ura e Kamarës, e cila është rreth 40 metra e gjatë dhe ka një gjerësi prej 3.5 metra.

Sipas historianëve ura është ndërtuar rreth vitit 1714. Sipas mbishkrimit në një pllakë guri të gjetur në kamaren  e urës shkruhet: “Shpirti i qoftë gëzuar Ahmetit, nga Elbasani. Kush kalon këtej të japë një lutje mirëbërësit të urës”.

Edhe pse kanë kaluar shumë shekuj dhe prurjet e lumit kanë qenë në sasi të mëdha, ura nuk është lëkundur aspak.

Ajo është asimetrike, me tre qemerë interesante për nga forma dhe lloji i ndërtimit. Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metra dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre.

Janë vetë banorët e Mirakës ata që ruajnë urën si edhe tregojnë historinë e saj për vizitorët.

Vitet e fundit, ashtu si nëpër të gjithë luginën e Shkumbinit, edhe ura e Kamarës ka pritur shumë turistë. Banorët e zonës tregojnë se, kur është ndërtuar kjo urë, është bërë edhe një kurban, nën pemën e një fiku që ka moshën e urës. Pema e fikut ekziston ende dhe banorët e ruajnë si një pemë të shenjtë.