Në 70-vjetorin e lindjes, Anastas Angjeli: Gjithmonë në rendin e parë

Një përvjetor në jetën e një njeriu është gjithnjë një përmasë e dyfishtë: ndalesë dhe nisje.

Është ndalesë, sepse mbërrin në një stacion ku qëndron një çast dhe ke nevojë të kthesh kokën pas; të shohësh rrugëtimin që ke përshkuar, gjurmët që ke lënë, atë që ke arritur të bësh dhe mënyrën si ia ke dalë.

Dhe është nisje.
Është nisje sepse rrugëtimi vazhdon, dhe të duhet të ecësh më tej, në ritmin që jeta të imponon.
Sepse ke ende rrugë për të bërë, të presin lartësi ku duhet të mbërrish.

Në këtë “stacion” ndalesë–nisje, Anastas Angjeli ka shumë se çfarë të shohë e të na thotë, sepse në 70-vjetorin e lindjes, lartësitë ku ka mbërritur janë mahnitëse.

Ashtu sikundër, nisja për atë që duhet të mbërrijë nesër e ditë pas dite më tej, ka në boshtin e vet fuqinë e dashurisë së bashkëshortit, të babait dhe të gjyshit nga njëra anë, por edhe të qytetarit dhe të intelektualit të angazhuar në sfidat e radhës nga ana tjetër.

Anastas Angjeli na ka mësuar të jetë gjithmonë në rreshtin e parë; protagonist dhe kontribues.

Ka qenë një kohë e vështirë. Një rend po ikte dhe një tjetër po vinte.

Koha ishte në udhëkryqin e saj, por në atë periudhë dilemash dhe pasigurish të shumta, Anastas Angjeli, pedagogu 35-vjeçar, zgjodhi përgjegjësinë në vend të komfortit që të ofron shmangia. Zgjodhi përfshirjen në vend të mënjanimit.

Profesori i ri i universitetit nuk e la auditorin e shkencës ekonomike, por zotësitë e tij profesionale dhe akademike i vuri në shërbim të vendit, me devocion dhe përgjegjësi qytetare.

Vendi kishte nevojë që intelektualët e zotë të përbënin edhe elitën politike, dhe Anastas Angjeli ishte aty.

Vendi kishte nevojë për kontribute profesionistësh që të ishin zëri dhe modeli i përfaqësimit qytetar në Kuvendin e Shqipërisë, dhe Anastas Angjeli ishte aty.

 

Vendi kishte nevojë për vizion, përgjegjësi dhe guxim në qeverisje, dhe Anastas Angjeli ishte aty.

Pedagog, deputet, ministër, akademik dhe gjithmonë një zë publik i pranishëm, Anastas Angjeli mbi të gjitha është familjar shembullor dhe gjysh i përkushtuar, qytetar i angazhuar, shok i mirë, mik dhe koleg i vyer.

Ndaj, sot në 70-vjetorin e lindjes, edhe Radiotelevizioni Ora News i uron Anastas Angjelit:

GËZUAR DHE JETË TË GJATË!