Përdorim i teknologjive bashkëkohore për kërkim-zbulime arkeologjike në Lisin antik
Në Akademinë e Shkencave u prezantua projekti “Hartografimi dhe Dokumentimi i zonave me potencial arkeologjik të Lezhës (Lissus)”.
Projekti ka si qëllim përdorimin e teknologjive bashkëkohore si drone, lidar, gjeofizikë, GIS dhe WebGIS për hartografimin, dokumentimin, modelimin 3D dhe kërkim-zbulimin arkeologjik të zonës së Lisit antik, duke sjellë të dhëna të reja dhe korrigjime mbi zhvillimin protourban të qytetit ilir.
Prof.dr. Neritan Ceka, kryetar i Komisionit të Arkeologjisë dhe drejtues i projektit, prezantoi një vështrim të ri mbi procesin e urbanizimit të qytetit ilir Lissus, së bashku me dr. Elio Hobdari dhe dr. Ervin Kujtila.
Në vijim, prof. asoc. dr. Edmond Hoxha, dr. Elva Leka dhe msc. Erland Alla paraqitën rezultatet e hartografimit dhe dokumentimit të sitit arkeologjik të Lisit përmes teknologjive GIS dhe WebGIS.
Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua modelimit 3D të monumenteve të Lisit antik dhe mesjetar, përmes metodave lidar dhe virtual reality, nga dr. Jeton Pekmezi dhe msc. Elion Kuqali, si dhe aplikimit të metodave joinvazive të gjeofizikës për leximin e nëntokës së qytetit, nga dr. Altin Karriqi dhe prof. Përparim Alikaj.
Një nga risitë që solli ky projekt është edhe vendosja e trashëgiminë arkeologjike në kontekstin e zhvillimit kulturor dhe turistik të zones, që u prezantua nga dr. Paulin Zefi nëpëmjet perspektivës së lidhjeve midis Lisit antik dhe komunitetit bashkëkohor.
Në përmbyllje të prezantimeve dhe diskutimeve, Marsela Robo, drejtoreshë e Programeve Kombëtare në Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), i vlerësoi rezultatet e projektit me interes për nxitjen e debatit shkencor. Ajo theksoi se risitë e këtij projekti lidhen me përdorimin e teknologjive të reja, ndikimin e tyre në zhvillimin e turizmit arkeologjik dhe përfshirjen e gjerë të institucioneve kërkimore, bizneseve dhe shoqatave në proces.
Robo premtoi mbështetje dhe bashkëpunim nga AKKSHI për ofrimin e infrastrukturës kërkimore shkencore të arsimit të lartë publik, në shërbim të Akademisë së Shkencave, instituteve të saj dhe qendrave të tjera kërkimore.

