David Attenborough, 100 vjet në Planetin Tokë
Sir David Attenborough, një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të televizionit britanik dhe dokumentarëve natyrorë, feston sot 100-vjetorin e lindjes.
I lindur më 8 maj 1926, Attenborough konsiderohet pionier i dokumentarëve modernë mbi natyrën dhe jetën e egër. Ai iu bashkua BBC-së në vitin 1952 dhe më vonë drejtoi BBC Two, duke kontribuar në futjen e televizionit me ngjyra në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë një karriere që shtrihet në më shumë se shtatë dekada, Attenborough ka realizuar dhe prezantuar disa nga seritë më të famshme dokumentare në histori, mes tyre Life on Earth, The Living Planet dhe Planet Earth, të cilat vendosën standarde të reja në transmetimet mbi historinë natyrore.
Kureshtja për natyrën e shoqëroi Attenborough që në fëmijëri. Ai ka treguar se, teksa rritej në Leicester gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, mblidhte fosile, gurë dhe objekte të ndryshme që zgjonin imagjinatën e tij për botën natyrore.
Pas studimeve për shkencat natyrore në Universitetin e Cambridge, ai kreu shërbimin kombëtar dhe më pas nisi punë në botimet arsimore. Megjithatë, dëshira për aventura dhe eksplorime e çoi drejt BBC-së, ku fillimisht aplikoi për radio, por më pas iu ofrua një rol në televizion.
Në vitet 1950, Attenborough realizoi emisionin Zoo Quest, i cili e çoi në vende të largëta si Sierra Leone, ku filmoi kafshë të rralla në habitatin e tyre natyror. Programi konsiderohet një nga momentet që transformoi mënyrën se si natyra prezantohej në televizion.
Në një mesazh audio të publikuar në prag të ditëlindjes, Attenborough u shpreh se ishte jashtëzakonisht i prekur nga urimet e shumta që kishte marrë nga njerëz të të gjitha moshave në mbarë botën.
“Unë mendoja se do ta festoja qetësisht 100-vjetorin, por duket se shumë prej jush kishin ide të tjera”, tha ai, duke falënderuar publikisht për mesazhet dhe urimet.
Festimet kulmojnë mbrëmjen e sotme me një koncert special në Royal Albert Hall në Londër, pas një jave aktivitetesh dhe programesh televizive kushtuar jetës dhe karrierës së tij.
Përveç dokumentarëve të njohur, Attenborough është bërë në vitet e fundit edhe një nga zërat më të rëndësishëm globalë për mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjësimin ndaj ndryshimeve klimatike.

