Izraeli urdhëron evakuime masive në jug të Libanit / IDF paralajmëron sulme të reja ndaj Hezbollahut

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve të më shumë se gjashtë fshatrave në jug të Libanit që të largohen menjëherë nga banesat e tyre, përpara sulmeve të pritshme ndaj Hezbollahut.

Sipas ushtrisë, Hezbollahu ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe për këtë arsye forcat izraelite do të ndërmarrin veprime ushtarake kundër tij.

Banorëve u është kërkuar të largohen të paktën 1,000 metra nga fshatrat dhe të qëndrojnë në zona të hapura për sigurinë e tyre.

Edhe pse armëpushimi është në fuqi që nga mesi i prillit, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut nuk janë ndalur. Të dy palët kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë në jug të Libanit.

Ditën e premte, Hezbollahu ka lëshuar raketa dhe dronë drejt bazave ushtarake në Izrael, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit në Bejrut dhe zonat jugore të Libanit. Autoritetet lokale raportuan se 11 persona humbën jetën nga sulmet izraelite në jug të vendit.